Tre të vdekur dhe 288 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

Tre të vdekur dhe 288 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

288 raste të reja dhe tri viktima nga COVID-19 janë shënuar në 24 orët e fundit, ndërsa janë 51 të shëruar, ka bërë të ditur sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, njofton Insajderi.

Janë kryer 1304 testime në 24 orët e fundit, ndërkohë që rastet pozitive janë konfirmuar në Tiranë 147, Fier 16, Krujë e Gjirokastër nga 14, Durrës 13 etj.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 280 pacientë, 14 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 50-vjeçar nga Lezha, një 56-vjeçare nga Tirana, një 88-vjeçar nga Tropoja.

Që nga shpërthimi i epidemisë me Coronavirus në Shqipëri janë konfirmuar 19,445 raste, prej tyre 10,705 janë të shëruar, 8260 janë raste ende aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 480 pacientë./Insajderi.com