Tre të vdekur në tri aksidente brenda ditës në Kosovë

Tre të vdekur në tri aksidente brenda ditës në Kosovë

Dy aksidente trafiku me fatalitet kanë ndodhur vetëm brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, njofton Insajderi.

Një person ka vdekur në aksidentin e ndodhur në fshatin Kormjan të Gjilanit, midis një veture dhe një motoçiklete.

Shkaktari i këtij aksidenti është një shtetas i huaj, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Është raportuar për një aksident trafiku në mes një veture dhe motoçiklete. Përveç dëmeve materiale lëndime vdekje-prurës ka pësuar viktima mashkull kosovar vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa, në aksidentin tjetër të ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë-Zubin Potok, një grua ka ndërruar jetë ndërsa tre persona të tjerë janë duke u trajtuar – dy në Mitrovicë dhe një në QKUK.

“Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Edhe një vdekje tjetër e dyshimtë ka ndodhur brenda ditës së djeshme.

Një person derisa ishte duke punuar në pyll, është zënë nga traktori dhe duke mos i përballuar lëndimeve të marra, ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites në Podujevë. Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. /Shqip.com