Tregimet e vajzave që u ngacmuan seksualisht nga policët në detyrë – “Ooo mashallah”, “shumë e bukur koke niherë me vizitu stacionin”, “mas stacionit a ka naj kafe?”

Jo pak gra janë ankuar kohëve të fundit se po ngacmohen seksualisht nga policët në rrugë. Disa prej tyre kanë treguar për Gazetën Online Insajderi histori jo të këndshme në të cilat kanë hasur në ndërveprim me policë. Çfarë thonë ato e mbështesin edhe shifrat nga Inspektorati Policor. Vetëm në vitin e fundit ka dyfishim të rasteve të tilla, ku policët bëjnë atë që do duhej të parët ta luftonin.

Tregimet e vajzave që u ngacmuan seksualisht nga policët në detyrë – “Ooo mashallah”, “shumë e bukur koke niherë me vizitu stacionin”,  “mas stacionit a ka naj kafe?”

Policia e Kosovës, institucioni që financohet me taksat e qytetarëve për t’i mbrojtur dhe ndëshkuar ata në rast të shkeljes së ligjit, ka raste kur një gjë të tillë e bëjnë edhe vetë.

Në diskursin publik kohëve të fundit janë hedhur akuza në drejtim të policisë, pasi ka pasur ankesa se disa zyrtarë të saj po ngacmojnë seksualisht gratë/vajzat në rrugë.

Rraste të tilla kanë ndodhur edhe më herët, por në të dhënat e  Inspektoratit të Policisë vërehet se ato janë shtuar gjatë këtij viti.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nga IPK-ja kanë bërë të ditur se nën dyshimin për veprën penale “ngacmim seksual” në tri vitet e fundit janë arrestuar gjashtë zyrtarë policorë (tre prej tyre vetëm gjatë vitit 2020), ndërsa është dhënë rekomandim edhe për suspendimin e gjashtë të tjerëve.

“Duke ju referuar statistikave zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës, për tri vitet e fundit (periudha kohore 2018,2019 dhe 2020),  me dyshimin për veprën penale ‘ngacmim seksual’, IPK ka arrestuar gjashtë zyrtarë policorë (dy zyrtarë në vitin 2018, një në vitin 2019 dhe tre në vitin 2020) e po ashtu është dhënë edhe rekomandimi për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkohë, në “Catcallofkosovo”, një adresë në rrjetin social Instagram, e cila raporton ngacmimet seksuale, ka pyetur anëtaret e saja se a janë ngacmuar ndonjëherë nga policët në rrugë.

Pak minuta pas publikimit, 12 prej tyre janë përgjigjur me “PO”, ndërsa 74 me “JO”. Madje, disa prej tyre në kushte anonimiteti për Gazetën Online Insajderi kanë rrëfyer përvojat e tyre.

Njëra nga to tregon se ngjarja i ka ndodhur në Prishtinë, derisa ishte bashkë me motrën e saj.

“Sa kam dalë prej kafes po na ndalin një grup i policëve, ishin kanë krejt të ri” tha ajo, derisa shtoi se ishte pa maskë (vendosja e së cilës në këtë kohë pandemie është e obligueshme me vendim të Qeverisë së Kosovës) dhe se arsyeja e ndalimit ishte pikërisht kjo.

“Njani nga ta ja nisi me më ba pyetje, se pse kam dal pa maskë dhe ma kërkoi letërnjoftimin. Më tha ‘duhet më ta shkru dënimin’ dhe me kqyrke dhe qysh po reagoj. Unë i thash; ‘nuk ka problem se ke gabimi jem’”, rrëfen ajo.

Tutje, ajo shtoi se zyrtari policor e ka ftuar për kafe, në mënyrë që t’i shmanget dënimit.

“Niherë u mata me i thanë se qysh po flet ashtu në uniformë, po veç i thash ‘jo, faleminderit’. Më tha ‘mujte me pshtu, po nuk dashte’”, ishte rrëfimi i saj.

Për të njëjtën arsye nga policia është ndaluar edhe një qytetare tjetër, e cila thotë se më pas është ngacmuar seksualisht nga ta.

“Jam kanë t’u shku në shpi edhe nuk e kam pasë maskën. U ndal një veturë e policisë para meje dhe më pyetën sa vjet i kam edhe unë u përgjigja”.

“Krejt mirë, në fund më thanë ‘ku e ki maskën?’. Ju thashë që ‘nuk po muj me majt’ e ata ma kthynë ‘shumë e bukur koke niherë me vizitu stacionin e policisë’”.

Por, kjo s’ishte hera e vetme kur ajo u ballafaqua me policë të tillë, që fjalorin s’e kishin uniform e zyrtar sa veshjen.

Një tjetër zyrtar – në një ditë tjetër – i ishte drejtuar me fjalët “e mirë koke shumë, mas stacionit a ka naj kafe”.

Ndërkohë, diçka e ngjashme i ka ndodhur një gruaje në Prizren, afër stacionit policor atje.

Ajo tregon se derisa ishte duke ecur, për shkak se rruga ishte e ngushtë, është dashur që të kalojë afër një zyrtari policor, i cili e ka shfrytëzuar rastin për ta ngacmuar.

“S’e kam dëgju komplet se çka ka thanë se isha shumë për ngut, veç më kujtohet që më ka thanë ‘ooo mashallah…’ edhe më lëshojke tinguj”, tha ajo.

Të gjitha këto raste, për Luljeta Demollin nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut dhe vepra penale.

Madje, sipas saj, ngacmimet seksuale nga zyrtarët policorë do të duhej të dënoheshin edhe më rëndë, pasi kjo ndër të tjera paraqet edhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ne i kemi dëgjuar me shqetësim rastet e ngacmimeve seksuale nga policët rrugor që janë diskutuar në rrjetet sociale. Për ne si QKSGj, kjo paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe vepër penale e cila do të duhej të dënohej më rëndë në rastin e ngacmimeve seksuale nga policët për shkak që kjo paraqet edhe shpërdorim të detyrës zyrtare që është rrethanë rënduese”, tha Demolli për Insajderin.

Sipas saj, ngacmimet seksuale nga zyrtarët policorë përçojnë pasiguri te vajzat dhe gratë që përjetojnë situata të tilla, për t’i raportuar në organet kompetente.

“Është tej mase shqetësuese ideja që vajzat dhe gratë të ngacmohen nga institucioni i cili do të duhej realisht t’i mbronte ato”, pohon Demolli, duke shtuar se “kjo e rritë edhe pasigurinë tek vajzat dhe gratë dhe mosbesimin në institucione”.

Demolli ka dhënë edhe disa këshilla për të gjitha ato gra që përjetojnë ngacmime seksuale, qoftë nga persona zyrtarë apo edhe civilë.

“Vajzat dhe gratë t’i raportojnë këto raste në Polici dhe të kërkojnë ndihmë juridike. Gjithashtu, nëse veç hasin në parregullsi përgjatë procesit, vajzat dhe gratë mund t’i referohen edhe ta raportojnë rastin edhe tek Inspektorati Policor që është autoriteti gjegjës për mbikëqyrjen e institucionit të Policisë”, tha Demolli./Insajderi.com