Tregimi për arsimtarin Ibrahim Rugova dhe shkollën ku ai kishte punuar për herë të parë

Tregimi për arsimtarin Ibrahim Rugova dhe shkollën ku ai kishte punuar për herë të parë

Disa metra larg qendrës së Obiliqit, në oborrin e shkollave të mesme të kësaj komune ndodhet objekti i vjetër i shkollës që dikur quhej “Pandeli Sotiri”.

Ndonëse është e zbrazët dhe e mbyllur me çelës, nga kjo shkollë rrjedhin shumë rrëfime.

Një tregim që ka lindur në këtë shkollë është ai për Ibrahim Rugovën, presidentin historik të Kosovës që 51 vite më parë kishte punuar si mësimdhënës këtu.

Më 1968, kur po vijonte studimet në vitin e dytë të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Rugova ndodhej në një gjendje të vështirë financiare. Pa bursë në Universitet, ai ishte detyruar të punonte si mësimdhënës në Obiliq.

E, disa metra larg kësaj shkolle jeton Fetah Sollova, njëri nga nxënësit e Ibrahim Rugovës. Ai ende mban mend kohën kur Rugova kishte qenë arsimtari i tij i gjuhës shqipe.

Fetahu e përshkruan Ibrahim Rugovën një mësues të qetë dhe të qeshur.

Teksa po punonte në këtë shkollë, 23-vjeçari Rugova sapo kishte nisur aktivizmin e tij politik.

Siç rrëfen nxënësi i tij, Fetahu, në kohën e demonstratave të vitit 1968, Ibrahim Rugova kishte filluar të mungonte në punë si pasojë e përndjekjes nga regjimi jugosllav i asaj kohe.

Ky tregim për kohën kur Ibrahim Rugova kishte punuar si mësimdhënës në shkollën që asokohe quhej “Pandeli Sotiri”, ishte arsye për riemërtimin e kësaj shkolle fillore. Pas viteve 90’ shkollës iu ndërrua lokacioni dhe iu vendos emri “Ibrahim Rugova”.

Madje, 1 mijë e 400 nxënësit e kësaj shkolle e festojnë ditën e shkollës më 2 dhjetor, në datën e lindjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Lidhjen me shkollën ku kishte punuar për herë të parë si mësimdhënës, Ibrahim Rugova nuk e kishte humbur kurrë. Pas viteve 90’, ai i kishte dërguar vazhdimisht telegrame në raste të veçanta shkollës dhe kishte pritur përfaqësues të shkollës në rezidencën e tij.