Tri alivanosje në Pallatin e Drejtësisë

Tri alivanosje në Pallatin e Drejtësisë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se kushtet në objektin D janë të papërshtatshme për punë.

Kryetari i Gjykatës, Hamdi Ibrahimi ka thënë në një komunikatë se si pasojë e këtyre kushteve, këtë javë tre persona kanë humbur vetëdijen. Ai ka kërkuar marrjen e masave për furnizimin e objektit me oksigjen.

“Sikurse e kemi bërë shumë herë të qartë deri me tani, në Pallatin e Drejtësisë ku është e vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës, në objektet që i shfrytëzon kjo gjykatë por edhe në të gjitha objektet tjera që shfrytëzohen bashkërisht edhe nga gjykata dhe prokurori të tjera, ndihet mungesë e madhe e oksigjenit dhe ka probleme me sistemin e ngrohjes”, ka thënë ai në këtë komunikatë.

Ai ka thënë se në këto kushte në disa pjesë të objektit temperatura është ekstreme e lartë –dhe nuk mund të qëndrohet fare në ato hapësira siç është Objekti D.

Sipas tij në pjesët tjera temperatura është shumë e vogël.

“Për shkak të mungesës së oksigjenit dhe te temperaturave të larta vetëm gjatë kësaj jave kishte tri raste të alivanosjes së personave (palë –ose punëtor të gjykatës) dhe kishte disa raste kur është imponuar ndërprerja e punës”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se edhe sot para fillimit të një shqyrtimi gjyqësor në njërën prej sallave të Departamentit për Krime të Rënda i është keqësuar shëndeti një avokati dhe sipas tij trupi gjykues ka qenë i detyruar që të ndërpres shqyrtimin gjyqësor.

“Të gjithë të pranishmit në sallën ku duhej të mbahej shqyrtimi gjyqësor janë ankuar në kushtet e punës nën të cilat janë të detyruar që të qëndrojnë, dhe kanë kërkuar shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor. Prandaj, kjo gjykatë kërkon veprimin urgjent të gjitha institucioneve që të sanohen lëshimet teknike me rastin e projektimit dhe ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë dhe të krijohen kushte normale për punë”.

Ibrahimi ka thënë se gjyqtarët nuk mund të ndajnë drejtësi në kushte të pa volitshme të punës.

“Ne besojmë se të gjithë janë të vetëdijshëm, se çka do të thotë mungesa konstante e oksigjenit për trurin e njeriut. Nuk bëhet fjalë për mungesë të oksigjenit për disa sekonda apo minuta”, ka deklaruar ai./Insajderi.com