Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili përveç aktiviteteve si politikan është mjaftë aktiv edhe në biznes.
Ismaili është aksionar në dy kafene në kryeqytet. Ismaili posedon aksione në kafenenë “Bon Vivant” dhe “Matisse”, njërën e themeloi në vitin 2013 ndërsa tjetrën në vitin 2014. Ismaili përveç kafeneve është aksionar edhe i kompanisë “Printques”.
Ismaili si pasuri të paluajtshme ka deklaruar se këtë vit ka blerë një banesë të përbashkët me një sipërfaqe prej 151 metra katrorë, e cila sipas tij ka vlerë 135 mijë eurove. Ai ka deklaruar se banesën e ka blerë me paratë që e ka shitur një banesë tjetër si dhe nga kredia.
Lidhur me çështjen e banesës, Ismaili ka dhënë një sqarim shtesë ku ka thënë se banesën që e ka blerë është duke u ndërtuar, ndërsa është duke jetuar në banesën që e ka shitur dhe se do të largohet pasi të rregullohet banesa e tij e re.
“Banesa e deklaruar është në ndërtim e sipër, ne vitin 2018 do te transferohem në atë banese, ndërsa banesa ku jam aktualisht është shitur dhe do ta liroj ditën që do të transferohem”, ka sqaruar Ismaili.
Bashkëshortja e Ismaili po ashtu ka tokë me sipërfaqe 3 ari, të cilën thotë se e fitoi nga kredia. Sipas tij kjo tokë ka vlerën e 20 mijë eurove. Bashkëshortja e tij punon në Ministrinë e Drejtësisë dhe ka të ardhura një pagë mbi 500 euro në muaj.
Nënkryetari i PDK-së ka deklaruar se në xhirollogarinë e tij bankare ka 2 mijë e 143 euro. Ndërkaq tek detyrimet financiare, Ismaili ka deklaruar se i detyrohet NLB bankës 2 mijë e 985 euro dhe Raiffeisen Bankës 25 mijë euro.