Vetëm pak javë pas muajit maj të vitit 2016, Bekim Çollaku kishte premtuar se qytetarët e Kosovës do të lëviznin pa viza nëpër Evropë. Madje për këtë, ish-ministri i Integrimeve Evropiane kishte festuar së bashku me stafin e tij. Kishte thënë se bëhej fjalë për një moment të jashtëzakonshëm për Kosovën.
“Urime qytetarëve, se ne si zyrtar dhe si ministra kemi pasur gjithmonë viza e nuk e kemi pasur problem. Mirëpo, më në fund e zgjodhëm problemin për qytetarët. Ky me të vërtetë është një moment i jashtëzakonshëm”, pati deklaruar Çollaku, pak sekonda para se të hapte një shampanjë për të festuar liberalizimin e vizave, që ai parashihte se do të ndodhte vetëm disa javë më vonë.
Në të njëjtën ditë me Çollakun, edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi në mënyrë publike para dy viteve u kishte thënë qytetarëve të Kosovës: “Urime liberalizimi i vizave”.
Presidenti, pati zgjedhur Facebook-un, që t’ua kumtojë lajmin kosovarëve për liberalizim të vizave.
“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA-n dje. Jave historike. HTH”, kishte shkruar Thaçi.
Atmosfera në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, pas propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave.
Posted by Radio Evropa e Lirë on Wednesday, 4 May 2016
Në të njëjtën linjë me Thaçin e Çollakun më 4 maj të 2016-s kishte qëndruar edhe asokohe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë Mustafa, Arban Abrashi.
Ai kishte bërë një postim Facebook, duke shkruar: “Urime liberalizimi i vizave, urime Kosovë”.
Mirëpo, kanë kaluar shumë javë e janë bërë më shumë se dy vjet që prej premtimeve të Çollakut, Thaçit e Abrashit dhe qytetarët e Kosovës kanë mbetur ende vendi i vetëm në Evropë pa liberalizim të vizave.
E izolimi i qytetarëve pritet të vazhdojë. Kjo pasi procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës vazhdon të stagnojë, raporton Insajderi.
Teksa Komisioni Evropian nuk ka njoftuar ende lidhur me përmbushjen e kriterit të fundit të Kosovës për liberalizimin e vizave, ky proces ka ngecur edhe në Parlamentin Evropian.
Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian e ka tërhequr nga rendi i ditës për këtë 10 korrik çështjen e rekomandimit të vizave për Kosovën, si pasojë e mungesës së njoftimit nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.
Siç raportoi sot Koha Ditore, në rast se ky komision do të votonte për rekomandimin e vizave për Kosovën, pastaj votimi do të bëhej edhe në seancë plenare në shtator. Por tash kjo është hequr nga rendi i ditës, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Fundi i qershorit ishte premtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, si afat kur Komisioni Evropian do të dilte me rekomandimin për liberalizimin e vizave. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre. /Insajderi.com