Rritja e menjëhershme e tarifave për shërbimet me parapagesë të tri kompanive celulare si dhe unifikimi i ofertave për paketat me parapagesë nga Albtelekom, Telekom Albania dhe Vodafone, e shtyu Autoritetin e Konkurrencës të hapë hetime të thelluara për krijimin e oligopolit në tregun më fitimprurës në Shqipëri.

Tre kompanitë celulare kryesore në Shqipëri u vunë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës pas një ankese nga Qendra Konsumatori Shqiptar, një organizatë me bazë në Durrës, si dhe tre ankesave të tjera në lidhje unifikimin e njëkohshëm të tarifave të shërbimeve celulare më herët këtë muaj, bëri të ditur Autoriteti i Konkurrencës.
Të dhënat e disponuara nga shoqata Konsumatori Shqiptar tregojnë se të treja kompanitë i ndryshuan tarifat brenda një jave duke hequr nga paketat bazë të ofruara shërbimin e internetit pa limit ose duke ulur ndjeshëm përmbajtjen e internetit nga këto paketa, dukshëm me synimin për të detyruar konsumatorët të paguajnë ekstra.
“Pas ndryshimit të menjëhershëm të tarifave, ne i dërguam kërkesë për informim AKEP dhe përgjigjja që morëm e përforcoi edhe më shumë bindjen se kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave të konsumatorëve dhe shkeljen e parimeve të konkurrencës së ndershme mes operatorëve që ofrojnë këtë shërbim,” shpjegoi për BIRN Ersida Teliti, drejtoreshë e qendës “Konsumatori Shqiptar”, e cila bëri një nga katër ankesat pranë Autoritetit të Konkurrencës.
Raportimet e kompanive në AKEP tregojnë se brenda një jave mes ditëve të fundit të marsit dhe ditëve të para të prillit 2017, tre kompanitë celulare duket se unifikuan ofertat për të gjitha paketat e komunikimit me parapagesë, unifikim që solli në disa raste uljen e çmimeve dhe në disa të tjera rritjen, për të prodhuar tre paketa bazë, 800, 1,100 dhe 1,400 lekë, të cilat ofrohen në tre kompani të ndryshme por që në thelb janë e njëjta gjë. Në të gjitha paketat është synuar ulja e njëhershme e sasisë së internetit të ofruar, dukshëm me synimin për të detyruar konsumatorët të blejnë gigabit ekstra përveç paketës, ku çmimet e paketave të internetit janë gjithashtu thuajse identike nga kompania në kompani.
Në vendimin e marrë më 23 maj, Komisioni i Konkurrencës urdhëroi “Hapjen e Procedurës së Hetimit Paraprak në Tregun me Pakicë të Shërbimeve Celulare për të hetuar nëse ka, apo jo, shenja të kufizimit të konkurrencës”. [Link vendimi]
“Referuar informacionit të mbledhur gjatë monitorimit, rezulton se tre shoqëri kanë ndryshuar paketat standarde në periudhën 27 mars 2017 ‐ 4 prill 2017 në një sjellje të mundshme të koordinuar,” shkruhet në vendimin e Autoritetit.
“Gjithashtu bazuar në të dhënat e rregullatorit AKEP, rezulton se tregu i telefonisë celulare ka strukturën e një tregu oligopolistik me një operator me pozitë dominuese në tregun përkatës të shërbimeve celulare me pakicë, si dhe dy ndërmarrje të tjera me qëndrueshmëri të pjesëve të tregut”, vijon më tej vendimi./Reporter.al