Tri thirrje telefonike që kërcënuan me bombë sistemin e drejtësisë së Kosovës  

Tri thirrje telefonike që kërcënuan me bombë sistemin e drejtësisë së Kosovës  

Policia nëpërmjet një komunikate për media sqaron për kërcënimin me bombë që ka ndodhur sot nëpërmjet telefonit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Sipas Policisë rreth orës 10:30,  në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri  thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që janë ndërmarrë  nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.