Tri vajza nga Shqipëria përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin “Technovation Challenge”, që zhvillohet në atë që njihet si shtëpia e shumë kompanive që operojnë në fushën e teknologjisë, Silicon Valley në San Francisko.
Vajzat gjimnaziste Dea Rrozhani, Arla Hoxha dhe Jonada Shukarasi, konkurrojnë me aplikacionin e tyre të quajtur “GjejZâ” ose “gjej zërin”, një aplikacion që u vjen në ndihmë grave e vajzave të dhunuara.
“Technovation Challenge” fton çdo vit grupe vajzash nga e gjithë bota të vënë në përdorim aftësitë e tyre për të zgjidhur probleme të komunitetit, ku ato jetojnë nëpërmjet teknologjisë. Tri vajzat, të cilat përfaqësohen si një grup i njohur me emrin “D3COders”, falë aplikacionit të tyre kanë arritur ta çojnë Shqipërinë për herë të parë në finale.