Kanë kaluar tri vjet që kur u nda nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare, transmeton Insajderi.
I njohur si Mandela i Kosovës, Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007), raporton KP.
Në kujtim të trevjetorit të vdekjes së tij, sot përurohet libri i Adem Demaçit “Burgjet e mia- fati im i madh”, në selinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në orën 10:00. /Insajderi.com