Tri “zbulimet” e RTK-së

"Dekonspirimi i një agjente ruse", "publikimi i një raporti të fshehtë të shtet serb" dhe "sigurimi i një përgjimi që dëshmon ndërhyrjen e Aleksandar Vuçiq në zgjedhje". Këto janë tri "zbulimet" e Transmeteusit Publik për këtë vit. RTK i cilësoi ekskluzive këto tri publikime, edhe pse njëri prej artikujve u cilësua "nxitës" nga KMShK.

Tri “zbulimet” e RTK-së

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) publikoi sot një përgjim telefonik të “një njeriu të kombësisë serbe të përfshirë në zgjedhjet e Kosovës”, përmes së cilës pretendon se dëshmon ndërhyrjen e shërbimeve sekrete serbe dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Transmetuesi publik transmetoi një storie rreth “dëshmive të ndërhyrjes së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet në Kosovë”, edhe pse në materialin e RTK-së nuk figuron asnjë deklaratë e presidentit të Serbisë.

Por, në përgjimin e siguruar nga RTK – ku flet një qytetar i kombësisë serbe – flet “një qytetar i kombësisë serbe”, i cili tregon për praninë e Shërbimit Sekret Serb (BIA) në Kosovë.

“RTK e njeh personin në fjalë, dhe autenticiteti i këtij materiali është i verifikuar nga organet përkatëse në Kosovë. Gjatë tërë fushatës zgjedhore është vërejtur një tensionim shumë i madh mes partive politike serbe të Kosovës. Madje ka pasur edhe konfrontime fizike në veri ku pjesëtar të listës serbe e kanë sulmuar në mënyra të ndryshme Aleksander Jabllanoviqin”, shkruan RTK.

 

Jo më larg se një javë, televizioni shtetëror publikoi një tjetër artikull të cilin e quajti “zbulim”. Ky ishte “Zbulimi i Dytë” i RTK-së gjatë këtij viti. Aty RTK pretendoi se ka siguruar një raport për liderët serbë të Kosovës, të përpiluar nga organet e sigurisë kombëtare serbe.

Duke mos treguar se nga cili institucion i sigurisë në Serbi është hartuar ky dokument, RTK-ja vetëm ka treguar se ekzistencën e këtij dokumenti e ka konfirmuar edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), por që nuk kanë dashur të pohojnë ose mohojnë vërtetësinë e saj.

E sipas këtij “dokumenti” RTK shkruan se shqetësimet kryesore që shihen në këtë dokument janë mungesa e kuadrove profesionale e akademike që renditen tek Lista SRPSKA, por edhe për politikanët e tjerë, të cilët dokumenti i quan “rivalë të SRPSKA-s”, e ku bëjnë pjesë Sllobodan Petroviqi kryetar i SLS-së, Nenad Rashiqi kryetar i PSD-së, Oliver Ivanoviqi (në të cilin Beogradi ka më së paku besim) dhe Aleksandar Jabllanoviqi tashmë kryetar i PKS-së.

Ndërsa në “Zbulimin e Parë” të këtij viti, RTK pretendoi se dekonspiroi një spiune nga Rusia.

Ajo ishte Dragana Trifkoviqit, e cila sipas portalit të RTK-së, dyshohej të jetë një agjente ruse e nivelit të lartë, që vepron në Kosovë.

E nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ky shkrim u cilësua si artikull që “nxitë urrejtje”.

Sipas portalit të RTK-së që i referohej dokumenteve të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, gazetari Budimir Niçiq i cili përmendet me iniciale, është bashkëpunëtorë i Trifkoviqit.

“Në kuadër të bashkëpunëtorëve më të mëdhenj të D.T janë ushtarakë e kuadrat ë shërbimeve serbe të inteligjencës të cilët kanë vepruar në Kosovë para vitit 1999, e të cilët kanë qenë në maja të atyre strukturave…dhe B.N. gazetar serb i njohur në Kosovë nga Graçanicës që vjel fonde edhe nga shtete perëndimore në Kosovë etj”, raportonte portali i televizionit publik. /Insajderi.com