Tri zgjidhje që përmirësojnë prokurimin publik

Kosova shpenzon mbi 500 milionë euro në vit përmes prokurimit publik, duke lidhur kështu mbi 10 mijë kontrata. Problemet kryesore në prokurim janë cilësia e dobët, dhënia e kontratave mbi bazë klienteliste dhe mungesa e mbikëqyrjes efikase. Nga mungesa e efikasitetit dhe ligjshmërisë, po humbim veçanërisht taksapaguesit e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër po përfitojnë zyrtarët dhe kompanitë e papërgjegjshme. Për ta ndalur këtë rrjedhje të parasë nga interesi publik tek xhepat e të korruptuarve, duhet që të merren tre hapa kryesor që përfshijnë: i. Rritja e cilësisë së prokurimeve dhe eliminimi i çmimit më të ulët për çdo prokurim, ii. Ndëshkimi për shkelje të ligjit dhe vendosja e konkurrencës në mes të shërbyesve civil për performancë më të mirë, dhe iii. Rritja e mbikëqyrjes në zbatimin e kontratave duke vendosur praktika të bashkëpunimit me sektorin privat.

Tri zgjidhje që përmirësojnë prokurimin publik

Jo rrallë herë është thënë se përmes prokurimeve publike Kosova zbraz mbetjet e depove të anë e kënd Kosovës, kjo kryesisht për shkak të realizimit të blerjeve me çmimin më të ulët, por pa standarde të cilësisë. Zhvillimi i mbi 99% të blerjeve me këtë kriter ka ndikuar që cilësia të jetë elementi i fundit për të cilin bëhet fjalë në kontratat publike. Rrugët e shtruara dobët, të cilat prishen apo dëmtohen rëndë brenda vitit të parë të shfrytëzimit, pastaj ndërtimet e shkollave dhe objekteve shfaqin dobësitë e tyre menjëherë pas pranimit teknik dhe për pasojë duhet të zhvillohen kontrata shumë shpejtë të sanimit të gjendjes. Pyetja kryesore në këtë drejtim do të ishte, a do të menaxhonim në këtë formë buxhetin personal? A do të kishim zgjedhur ofertuesin më të lirë? A do të pranonim kualitetin më të dobët të punëve?

Përgjigja natyrisht do ishte Jo!

Pra ashtu sikurse edhe ne që zgjedhim më të mirën për vete në përputhje me mundësitë financiare, edhe komunat dhe institucionet e tjera publike, duhet të trajtojnë prokurimet si investime afatgjate. Ndërtimi i rrugëve, shkollave, ndërtimi i parqeve nuk bëhet çdo ditë. Një shkollë e ndërtuar sot, supozohet se do t’i shërbejë komunitetit ndoshta edhe 100 vitet e ardhshme! Atëherë pse të mos i bëjmë të kualitetit dhe cilësisë që t’i rezistojnë kohës dhe t’i shërbejnë qytetarëve me gjenerata në të ardhshme? Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të orientohen më tepër rreth vendosjes së standardeve të kualitetit dhe garancioneve në investimet kapitale dhe prokurimet në përgjithësi. Nuk ka kuptim që për një shkollë, ndërtuesi të jap garancion vetëm për një vit, ashtu siç ndodh në 99% të kontratave të cilat D+ i analizon në komunat e Kosovës. Fitimi i kontratave publike nuk duhet të ndahet vetëm në çmimin më të ulët, pasi që kjo zakonisht paraqet edhe kualitetin proporcional. Në vend të kësaj, duhet që të vendosen poentime në raport me kualitetin e ofruar, nëse një kompani do të bëjë ndërtimin e klasit të parë duke përdoruar materialet më të mira dhe me garancione më të gjata, përse  të mos paguhet më tepër. Kjo do të thotë se në afatgjatë ne do të kursejmë shumë para të cilat momentalisht shpenzohen për sanime dhe intervenime emergjente. Zakonisht, kompanitë të cilat  fitojnë me çmimin më të ulët performojnë shumë dobët. Në këtë rast ose nuk do të përfundohen projektet sipas kontratës ose cilësia e tyre do të jetë e dobët. Rrjedhimisht i bie që ne paguajmë ose me cilësi ose me sasi. Kjo për shkak se në fund të ditës prokurimi është edhe shkencë ekzakte, ju duhet të investoni para për të realizuar projekte, nëse projekti është shumë i lirë, ju duhet të investoni sa më pak, për të fituar diçka!

Ndërhyrja e dytë në prokurim, është ndëshkimi i gabimeve apo lëshimeve që kryhen me apo pa vetëdije. Për çdo vit, një numër i madh i institucioneve mbikëqyrëse dhe veçanërisht, Zyra Kombëtare e Auditorit identifikojnë shkelje në prokurim. Këto shkelje supozohet se pasi të jenë identifikuar duhet të adresohen

 

nga institucionet. Lajmi i keq është që përveç faktit që numri më i madh i këtyre shkeljeve nuk adresohen, pra nuk merren masa për të përmirësuar situatën, zyrtarët përsërisin shkeljet edhe në vitin e ardhshëm. Në këtë formë duke mos ndëshkuar shkeljet, krijohet kultura e tolerancës, e cila ndikon mbi të gjitha edhe në mendësinë e shërbimit civil, i cili nuk ka asnjë shtytje të performojë mirë. Për shkak se zakonisht performanca e mirë nënkupton më shumë angazhim dhe më shumë punë, e në fund fare, nuk ka para për xhepat privat të zyrtarëve ose fitime të paligjshme për kompanitë. Rrjedhimisht ndëshkueshmëria duhet të vlejë edhe për zyrtarët të cilët nuk dinë të kryejnë punën edhe për ata të  cilët dijnë por me qëllim kryejnë shkelje. Zbatimi i ndëshkimeve në të paktën nivel administrativ nëse jo edhe atë penal, do të ndikonte në krijimin e kulturës së konkurrencës brenda zyrtarëve sidomos në prokurim publik. Pasi që performanca më e mirë dhe raportet pozitive të auditorit do të nënkuptonin promovim në punë dhe rritje page. Duke i trajtuar të gjithë njësojë standard, ne në fakt favorizojmë ata të cilët performojnë më së keqi.

Ndërhyrja e tretë, është mbikëqyrja e prokurimeve dhe zbatimi i efikas i kontratave. Ligji i Prokurimit Publik e rregullon më së paku pjesën e zbatimit të kontratave. Andaj edhe nëse keni kontratën më të mirë në letër nuk ka garanci se në praktikë diçka e tillë do të zbatohet. Për të mbikëqyrur zbatimin e kontratave, komunat zakonisht e ngarkojnë me punë një nga zyrtarët e vet, i cili bënë edhe shumë punë të tjera. Ky zyrtar edhe po të donte të bënte këtë punë me nderë, mund edhe të mos ketë njohuritë, kohën dhe mbi të gjitha guximin për të marrë masa. Në fund të fundit, zyrtarët janë aty për të kryer punët e tyre të përditshme e më pak për të mbikëqyrur projekte të prokurimit publik. Prandaj, në vend të kësaj, duhet që të bëhet një kombinim në mes të mbikëqyrjes nga kompanitë private dhe mbikëqyrjes së kompanive mbikëqyrëse nga auditorët, për të parë nëse edhe ato po e bëjnë punën siç duhet apo vetëm po i kushtojnë buxhetit edhe disa mijëra euro më shumë. Nëse kjo formë e kontrollit dhe balancit do të praktikohej në aktivitetet e prokurimeve, edhe rezultatet do të ishin të dukshme. Në fund të fundit pse duhet një kompani të zbatojë kontratën 100% nëse ka mundësi të mos e bëjë këtë dhe të mos marr ndëshkime.

Këto tri ndërhyrje themelore dhe afatgjate të prokurimit do të siguronin që komunat apo institucionet në përgjithësi të ndërtojnë dhe punojnë për t’i shërbyer edhe brezave të ardhshëm, jo vetëm votuesve të tyre deri në zgjedhjet e ardhshme dhe kompanive me të cilat ndajnë përfitimet.

  (Ky opinion është përgatitur nga Isuf Zejna – Demokraci Plus)