Unë si avokat i z. Trim GASHI ju falënderoj për gjykim korrekt. Po ashtu ju falënderoj që ju me profesionalizmin e juaj na keni mundësuar palëve në procedurë (prokurorit dhe avokatëve) që të ndihemi krejtësisht të barabartë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave juridike në çështjet që i kemi prezantuar.
Pas një gjykimi shumë korrekt nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me këtë mendoj në shqyrtimin gjyqësor të datës 25.02.2016 është një ndjenjë jo e mirë që Prokurori në këtë çështje ka zgjedhur rrugën me të lehtë të mundshme, duke mbetur pranë aktakuzës sa i përket veprave penale për të cilat pa asnjë provë konkrete është akuzuar z. Trim GASHI dhe duke ia lenë tërë barrën e nxjerrjes se aktgjykimit të drejtë dhe të ligjshëm vetëm Trupit Gjykues.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë gjykim nga dita e parë e deri me sot e kemi pasur të qartë se z. Trim GASHI nuk do të duhej të ishte fare i akuzuar, dhe posaçërisht nuk do të duhej të mbahej në paraburgim që nga data 16.10.2015 deri më 25.02.2016, dhe nuk do të duhej të mbahej në arrest shtëpiak që nga 25.02.2016 e deri me sot, sepse është e qartë dhe është vërtetuar me të gjitha provat e administruara në këtë gjykim se z.Trim Gashi nuk ka kryer asnjë prej veprave penale për të cilat padrejtësisht dhe për arsye të luftës politike në mes të opozitës dhe pozitës ai është sakrifikuar në atë masë sa që në dispozitivin I të aktakuzës së Prokurorisë është akuzuar për veprën penale nga Kapitulli XIV i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e që ka të bëjë me vepra penale kundër redit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Përveç që nuk ka asnjë provë-fakt konkret për inovolvimin e z.Trim Gashit në kryerjen e veprave penale për të cilat është akuzuar është shumë e dhimbshme që në mënyrë hipotetike nëse edhe e konsiderojmë se mund të ketë prova për involvimin e z.Trim Gashit në tentimin për shpimin e gomave të ndonjë veture të papërcaktuar të eskortës së Kryeministrit z.Isa Mustafa ai këtë eventualisht do ta bënte me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe siguria e Republikës së Kosovës po u varka nga disa gjemba (krejtësisht 13 sosh) të punuara në mënyrë artizanale, nga kuti metali me dimenzioneve -8.5cm x 8.5 cm.
Si është e mundur që shteti i pavarur i Kosovës të rrezikohet me gjemba të tillë dhe përveç kësaj të rrezikohet edhe i tërë rendi kushtetues i Kosovës si shtet?
A thua a mund të ndihet secili qytetar i Kosovës se me të vërtetë jeton në një shtet të pavarur dhe demokratik të njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht nga 111 shtete të botës, nëse rendi kushtetues dhe siguria e Kosovës si shtet i ri mund të rrezikohet me gjemba të gjatësisë 8.5 cm.
Se kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk ka ndodhur, e vërteton edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke mos shënuar në dispozitivin I të aktakuzës qëllimin apo motivin se për çfarë arsyje kinse Trim Gashi bashkë me disa persona të panjohur kanë tentuar të shpërthej gomat e “veturave të eskortës”.
Kjo vepër penale nga neni 128 i Kodit Penal të Kosovës – Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës nuk mund të ekzistoj fare nëse nuk kemi asnjë element me të cilin kjo mund të vërtetohet, por po ashtu nuk kemi askënd të dëmtuar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë, e që detyrimisht do të duhej të ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa, ashtu siç është paraparë me dispozitën e nenit 126 parargrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria qëllimisht nuk e ka përfshirë si potencialisht të dëmtuar Kryeministrin e Kosovës, atë –të njëjtin –Kryeministrin e Republikës së Kosovës nuk e ka përfshirë as si dëshmitarë, ngase ai nuk ka mundur që të jetë i dëmtuar e as dëshmitarë në këtë çështje penale për shkak se nuk ka ndodhur asgjë më 23.09.2015 që do të ishte element i veprës penale për të cilën është akuzuar z.Trim Gashi.
Aktakuza e Prokurorisë në rastin e z.Trim Gashi nuk ka asnjë mbështetje juridike dhe faktike sa që fjala ime përfundimtare do të mund të ishte e stërzgjatur pa pikë nevoje, dhe unë këtë nuk do ta bëjë sepse është e panevojshme.
Është e pakontestueshme se gjembat e gjatësisë 8.5 cm që Prokuroria i konsideron që mund ta rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës janë gjetur të gjuajtura – të lëna në rrugë rreth
30 m nga udhëkryqi në të cilin ka kaluar eskorta e Kryeministrit z.Isa Mustafa dhe atë në rrugën Lidhja e Prizrenit, ndërsa eskorta e Kryeministrit si gjithmonë ka kaluar nëpër rrugën Ilir Konushefci.
Eskorta e Kryeministrit dhe vetë Kryeministri kanë kaluar pa asnjë problem dhe pa pengesë nga shtëpia e Kryeministrit deri tek ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në bazë të shkresave të lëndës-raportit të Policisë së Kosovës vërtetohet se gjemba të njëjtë policia përdorë për ti ndaluar dhunshëm veturat që nuk ndalen në shenja të policisë, dhe gjembat nuk janë të dedikuara për të vrarë ngasësit e veturave që nuk ndalën. Gjemba të ngjashëm janë të vendosur edhe para çdo Ambasade për të mos hyrë vetura të paauatorizura, por jo për ti vrarë ngasësit e veturave që tentojnë që ti kalojnë ato pengesa. Pengesa të njëjta apo të ngjashme përdor edhe KFOR-i në Kosovë për të ndalur vetura por jo për ta vrarë dikë.
Me asnjë ligj në botë e as me ndonjë ligj të Republikën së Kosovës gjembat nuk konsiderohen si mjet i rrezikshëm për jetë, as si armë e ftoftë, e as si armë e zjarrit as eksploziv me të cilat do të mund të rrezikohej jeta e dikujt dhe me të cilat mjete do të rrezikohej rendi kushtetues apo siguria e cilido shtet.
Prokuroria ka dështuar që ta vërtetojë se z.Trim Gashi më 23.09.2015 të ketë qenë në pjesën e protestuesve që sipas Prokurorisë ka tentuar që me gjemba të caktuar të shpërthejë gomat e eskortës.
Nëse Gjykata dëshiron që të jetë e drejtë dhe aktgjykimi në këtë rast të jetë i ligjshëm pa marrë parasysh se z.Trim Gashi ka qenë apo jo pjesëmarrës në këtë tentim të shpërthimit të gomave të eskortës së Kryeministrit, Prokuroria thjeshtë ka dështuar ta vërtetoj këtë dhe sipas ligjit barra e të provuarit bije mbi Prokurorinë për çfarëdo vepre penale dhe nuk është obligim ligjor as i z.Trim Gashit e as i Mbrojtjes së tij që ta vërtetojë pafajësinë e tij, ngase Prokuroria ka dështuar që ta vërtetoj fajësinë e tij.
-Z. Adem Ademi në cilësinë e Oficerit policor, të Njësisë Elite të Policisë, me provoj 16 vjeçare dhe i specializuar për mbrojtje të afërt dhe përcjellje të personave me rëndësi të veçantë në shqyrtimin gjyqësor të datës 25.02.2016 ka deklaruar se eskorta e Kryeministrit ka kaluar pas asnjë problem në rrugën Ilir Konushevci e jo në rrugën Lidhja e Prizrenit ku janë gjetur gjembat tani më të famshëm, se ai nuk ka mundur të identifikoj askënd prej personave që në rrugën Lidhja e Prizrenit që kanë gjuajtur tri kese të letrës me gjemba, ai ka deklaruar se përveç se nuk ka mundur ta identifikoj askënd, ai ka tentuar ta kap njërin prej tyre për shpine, por ka rrëshqitur dhe është rrezuar, për shkak se vendi konkret ka qenë me ujë dhe i lagët, dhe ai ka qenë me patika të cilat i kanë rrëshqitur, se aty si pasoj e rrëzimit të tij e ka lënduar dorën e jo se ka pasur kacafytje me dikë në momentin e rrëzimit të tij.
Ai ka deklaruar si Oficer i Policisë se nuk ka pasur as përleshje me ata persona dhe të njëjtit nuk kanë qenë të ashpër e as të dhunshëm ndaj tij.
Po ashtu ai ka deklaruar se eskorta e Kryeministrit ka qenë në përbërje prej pesë apo respektivisht gjashtë veturave.
Oficeri i Policisë z. Adem Ademi po ashtu thotë se në rrugën Lidhja e Prizrenit 30 m larg udhëkryqit ka gjetur edhe një telefon të shpërbërë dhe të demoluar. Po ashtu nga ky oficer i policës dhe nga raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes vërtetohet se “vendi i krimit-ngjarjes” është kontaminuar në tërësi për shkak se gjembat, qeset dhe një telefon janë marrë pa kurrfarë procedurash ligjore nga rruga Lidhja e Prizrenit dhe çuditërisht janë transferuar në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës, ku edhe është Kabineti i Kryeministrit z.Isa Mustafa.
Për ironi mjetet e rrezikshme me të cilat sipas këshilltarit të Kryeministrit z.Bajram Gecaj është tentuar atentat ndaj vetë Kryeministrit ati i janë dërguar mjete të rrezikshme në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, e të cilat janë marrë pa kurrfarë procedurash ligjore në rrugën Lidhja e Prizrenit që është disa qindra metra larg ndërtesës dhe oborrit të Qeverisë së Kosovës.
Duket se për arsye krejtësisht politike, policia ia ka huq fare duke ja dërguar Kryeministrit z.Isa Mustafa mjetet e rrezikshme të tentim atentatit kundër tij në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Në çdo shtet normal ku zyrtarët nuk janë servil ndaj Kryeministrit mjetet e rrezikshme që rrezikojnë jetën e Kryeministrit apo të eskortës së tij lihen aty ku janë, të njëjtat shkatërrohen apo konfiskohen dhe nuk i dërgohen si “trofe lufte” vetë Kryeministrit në oborrin e tij qeveritar.
Vetë ky akt tregon se kemi të bëjmë me luftë politike e jo me luftë të vërtetë.
Z.Adem Ademi ka deklaruar gjatë gjykimit se ai në rrugën Lidhja e Prizrenit ka marrë një telefon të shpërbërë dhe të demoluar, ndërsa nga raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes të Njësisë së Forenzikës të Policisë së Kosovës në faqen dy të këtij raporti të këqyrjes së vendit të ngjarjes nën shenjën VN#4 janë evidentuar dy telefona Nokia një me ngjyrë të hirit dhe një me ngjyrë të zezë.
Është e qartë se Policia ka mundur fare lehtë ti identifikoj përdoruesit e dy telefonave mobil, por qëllimisht nuk ka dashur ta bëjë këtë.
Ndoshta telefoni i dytë është i dikujt që nuk është anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kjo nuk i ka pëlqyer pushtetit.
Është e qartë se z.Trim Gashi është arrestuar, paraburgosur dhe është mbajtur në paraburgim nga 16.10.2015 deri më 25.02.2016 dhe është në arrest shtëpiak që nga data 25.02.2016 deri me sot vetëm për një arsyje, ka qenë, është dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen të jetë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe si i ri që është dhe si student i Fakultetit juridik në Prishtinë, i dëshirojmë që pasi të kryej shkollimin adekuat të bëhet Prokuror dhe të mos ngritë aktakuza të pa baza, të padrejta, të paligjshme dhe politike ashtu siç Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër tij.
Unë jam i bindur se ky trup gjykues do të sjellë vendim të ligjshëm dhe të drejtë, e që në raport me Trim Gashin mund të jetë vetëm aktgjykim lirues, dhe me ketë sadopak do të zbutet padrejtësia e bërë ndaj tij për shkaqe politike.