Elita liberale amerikane është e tmerruar prej Donald Trumpit, por gjithashtu është e paaftë që ta plagosë atë për vdekje. Ajo që është e domosdoshme është kthesa e thellë majtas, e udhëhequr nga fytyrat e reja. Tash kur edhe një javë tjetër e aktivitetit të furishëm të Presidentit Trump është sigurt prapa nesh duke u zmbrapsur ngadalë në kujtesë, mund të reflektojmë mbi djerrinën kaotike të cilën e la pas udhëtimi i tij ndërkombëtar.
Presidenti i SHBA-ve i vizitoi tri vende: Brukselin – ku u takua me liderët evropianë, Londrën – për ta parë Theresa May dhe Mbretëreshën, plus Helsinkin – ku e mbajti një samit me Vladimir Putinin.
Përderisa shumica e analistëve theksuan faktin e çuditshëm se Trump ishte shumë më miqësor ndaj (atyre që perceptohen si) armiqve të Amerikës sesa ndaj miqve tradicionalë, kjo nuk duhet të na befasojë shumë. Në vend të kësaj, vëmendja jonë duhet të kthehet në një drejtim tjetër. Ashtu siç ndodh shpesh me Trumpin, reagimet ndaj veprimeve të tij janë më të rëndësishme sesa ato që ai vërtet i thotë ose i bën.
Perspektivat e ndryshme
Le të fillojmë me krahasimin e asaj çfarë tha Trump me ato që i thanë partnerët e tij. Kur Trump dhe May u pyetën nga një gazetar se çfarë mendonin për ardhjen e emigrantëve në Europë, Trump brutalisht dhe sinqerisht e prezantoi pozicionin e tij populist anti-emigrant: emigrantët janë kërcënim për mënyrën evropiane të jetesës; ata po e destabilizojnë sigurinë e shteteve tona dhe po sjellin dhunë e jotolerancë. Prandaj, duhet t’i mbajmë jashtë.
Dëgjuesi i vëmendshëm lehtësisht ka mundur ta vërejë se Theresa May po e thoshte saktësisht të njëjtën gjë, por në një mënyrë më diplomatike dhe më të “civilizuar”: emigrantët sjellin diversitet, ata kontribuojnë në mirëqenien tonë, por ne duhet ta kontrollojmë me kujdes kënd po e lëmë brenda.
Kësisoj, ne patëm një shijim të qartë të përzgjedhjes e cila përherë e më shumë është e vetmja që na paraqitet: barbarizmi i drejtpërdrejtë populist, ose një version më i civilizuar i të njëjtës politikë – barbarizëm me fytyrë njerëzore.
Përgjithësisht, reagimet ndaj Trumpit nga i gjithë spektri, përfshirë Republikanët dhe Demokratët në SHBA, ishin shokim dhe frikërespekt global. Që ndonjëherë kufizohej me panik të pastër. Na u tha se Trump është i pambështetshëm dhe sjell kaos.
Për shembull, ai fillimisht e qortoi Gjermaninë për shkak të të mbështeturit në gazin rus, duke u bërë kështu të lëndueshëm ndaj kundërshtarit të supozuar të NATO-s, mirëpo disa ditë më vonë i lëvdoi raportet e mira me Putinin.
Edhe stili i tij spikatet: kur e takoi Mbretëreshën e shkeli protokollin e sjelljes në prani të monarkut! Ai nuk i dëgjon partnerët e tij demokratikë gjersa është shumë më i hapur ndaj sharmit të Putinit, i cili aktualisht trajtohet si armik i madh i Amerikës.
Shumë i mirësjellshëm
Vërtet, mënyra në të cilën ai veproi në konferencën për shtyp me Putinin në Helsinki nuk ishte në dukje vetëm nënçmim i pashembullt (paramendojeni – ai nuk u soll si padroni i Putinit!), por u tha se disa nga deklaratat e tij mund të konsiderohen akte tradhtie.
U përhapën fjalë se Trump vepron si marionetë e Putinit, sepse homologu i tij rus duhet të ketë ndonjë material komprometues për të (supozimi për fotografitë e turpshme me prostitutat që urinojnë në Moskë?) dhe një pjese të establishmentit amerikan. Demokratët dhe disa Republikanë filluan ta diskutojnë ngritjen me shpejtësi të akuzave dhe shkarkimin, edhe me çmimin që ta zëvendësojë Mike Pence.
Në përgjithësi, konkluza ishte që Presidenti i SHBA-ve nuk është më lider i botës së lirë: por, a ka qenë realisht Presidenti i SHBA-ve lider i tillë ndonjëherë?
Këtu duhet të nis kundërsulmi ynë.
Së pari, ta shënojmë se konfuzioni i përgjithshëm me deklaratat e Trumpit përmban disa të vërteta aty-këtu: në njëfarë mënyre, a nuk kishte të drejtë kur tha se është në interesin tonë të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën për ta parandaluar luftën? A nuk kishte pjesërisht të drejtë ta paraqiste luftën e tij të tarifave si mbrojtje të interesave të punëtoreve amerikanë?
Është fakt se rendi ekzistues i tregtisë dhe financave ndërkombëtare është larg nga të qenit i barabartë, dhe se establishmenti europian i lënduar nga masat e Trumpit gjithashtu duhet t’i shikojë mëkatet e veta. A kemi harruar se si rregullat ekzistuese financiare dhe tregtare që i privilegjojnë shtetet e fuqishme europiane, posaçërisht Gjermaninë, ia sollën shkatërrimin Greqisë?
Për tango duhen dy
Sa i përket Putinit, unë personalisht besoj se rusët me gjasë kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, por Putini u kap duke bërë… çfarë saktësisht? Atë që SHBA-të vet e bëjnë rregullisht dhe masivisht, përveç se në rastin e tyre e quajnë mbrojtje të demokracisë? Prandaj, po, Trumpi është monstrum, dhe kur e quajti veten “gjeni stabil”, ne duhej ta kuptonim këtë si përmbysje direkte të së vërtetës – ai është idiot jostabil i cili e trazon establishmentin. Por, si i tillë, ai është simptomë, efekt i asaj që është gabim me vet establishmentin. Monstrumi i vërtetë është pikërisht establishmenti i shokuar me veprimet e Trumpit.
Reagimi panikues ndaj akteve të fundit të Trump tregon se ai është duke e minuar dhe destabilizuar establishmentin politik amerikan dhe ideologjinë e tij.
Prandaj, përfundimi ynë duhet të jetë: po, situata është e rrezikshme, ka pasiguri dhe elemente të kaosit në marrëdhëniet ndërkombëtare – por, këtu duhet ta kujtojmë moton e vjetër të Maos: “Çrregullimi është i madh, prandaj situata është e mrekullueshme!”.
Të mos e humbasim gjakftohtësinë. Në vend të kësaj, mund ta shfrytëzojmë konfuzionin duke e organizuar sistematikisht edhe një front anti-establishment nga e majta. Shenjat janë të qarta: fitorja befasuese në zgjedhjet preliminare të New Yorkut për Kongres e Alexandria Ocasio-Cortez, e vetëshpallur si socialiste demokrate, kundër kongresistit me 10 mandate, Joe Crowley, ishte, me shpresë, shoku i parë në serinë e shumë prej tyre që do ta transformojnë Partinë Demokratike.
Njerëzit si ajo, e jo fytyrat e famshme dhe të lodhura të establishmentit liberal, duhet të jenë përgjigjja jonë ndaj Trumpit.