Trupat e viktimave të aksidentit pritet të arrijnë në Kosovë rreth orës 12:00

Trupat e viktimave të aksidentit pritet të arrijnë në Kosovë rreth orës 12:00

Trupat e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Kroaci, pritet që të arrijnë në Kosovë sot rreth orës 12:00, transmeton Insajderi.

Kështu njoftojnë nga kompania e funeraleve “Pikëllimi” që po e bën bartjen e tyre.

Për të nderuar viktimat në pikën kufitare në Vërmicë, kanë dalë edhe disa mërgimtarë.

Mentor Zekolli është njëri prej tyre, i cili ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë për ta, derisa i ka lutur shoferët që të kenë shumë kujdes gjatë vozitjes.

“Jam vetë gurbetqar e di dhimbjen se kur i ndodh dicka familjes. Pata dëshirë të jem këtu. Një ngjarje e tillë është shumë e randë për neve gurbetqarëve. E dijmë dhimbjen shumë. Një rast shumë tragjik për neve shqiptarëve kudo që janë, dhe i kisha lut shoferat që të kenë shumë kujdes”, ka thënë Zekolli për T7.

Përveç Zekollit, në këtë vendkalim kufitar janë grumbulluar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë dashur t’i nderojnë viktimat e këtij aksidenti.

10 persona kanë vdekur si pasojë e aksidentit të autobusit me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – që doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë, ndërsa në të ishin edhe dy shoferë – njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë. /Insajderi.com