Trusti humbi 100 milionë euro për dy muaj

Trusti humbi 100 milionë euro për dy muaj

Vetëm gjatë muajit shkurt dhe mars, Trusti ka pësuar humbje në interes me vlerë prej afër 100 milionë euro, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur në raportin e fundit të publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, nga ku thuhet se kjo rënie u shkaktua kryesisht nga rënia e çmimeve të aksioneve.

Sipas tyre, lëkundjet e tregjeve financiare vazhduan edhe gjatë tremujorit të dytë mirëpo në këtë periudhë është realizuar fitim në interes dhe si rrjedhojë kishte ngritje të lehtë të çmimit të njësisë së Trustit.

Megjithatë, sipas studimit, rënia e vlerës së aseteve të Trustit pensional nuk paraqet ndonjë ndikim në kërkesën agregate afatshkurte të ekonomisë e rrjedhimisht as në BPV.

Kjo pasi Fondi pensional, nga viti 2020, ka filluar me dy portfolio investuese njëra për personat nën moshën 65 vjeçare dhe tjetra për persona mbi 65 vjeç që është më konservativ në investime.

Kjo do të thotë që kursimet e personave që marrin pensionin nga Trusti nuk janë të investuara në asete që kanë lëkundje apo rrezikshmëri të lartë.

Prandaj rënia e çmimit të njësisë ose humbjet eventuale afatshkurte nuk kanë ndikim të madh në të ardhurat e personave që tashmë përfitojnë nga Trusti.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të investimit jashtë vendit, në fund të tremujorit të parë dhe gjatë tremujorit të dytë, kursimet pensionale në masë të madhe janë investuar në obligacionet e Qeverisë së Kosovës (392 milionë) si dhe në depozita bankare. Kjo mundëson rritjen e borxhit publik të brendshëm pa shterrur fondet e gatshme për kreditë e sektorit privat. /Insajderi.com