Subjektet politike të mërkurën kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt.
Gjatë kësaj fushate e cila do të zgjasë 10 ditë, por edhe para fillimit të saj, të gjitha partitë e mëdha kanë shkelur Ligjin për Pandeminë, i miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Duke organizuar tubime në hapësira të mbyllura dhe me dhjetëra – ndonjëherë edhe më shumë – pjesëmarrës pa masa mbrojtëse kundër COVID-19, disa nga partitë po konsiderohet se po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Por, aktualisht është vetëm Komuna e Prishtinës, ajo e Prizrenit dhe e Istogut, të cilat kanë zbatuar ligjin dhe u kanë shqiptuar subjekteve politike gjoba.
Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë, të datës 15 janar, në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, kurse në sheshe publike parqe dhe vende publike, lejohet grumbullimi deri në 50 persona.
Gjobat për mosrespektimin e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, fillojnë nga 35 deri në dy mijë euro – varësisht nga shkeljet.
Këto vendime me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri në detyrë, Armend Zemaj – megjithatë, as ky vetë s’u ka qëndruar besnik atyre.
Në rrjetin social Facebook, ai kishte publikuar një fotografi nga një tubim në Deçan, ku shkruante: “Të rinjtë e Deçanit forca e LDK-së”.
Në foto shiheshin të pranishëm mbi 30 veta në një lokal. Shumica prej tyre nuk kishin maska. Asnjë nuk mbante distancën sociale.
Por, edhe ky tubim, si shumë të tjerë, u kalua pa u “vërejtur” nga drejtoria e Inspekcionit në Deçan.
Zemaj nuk ishte gjobitur, përkundër se në një intervistë të mëvonshme e pranonte se ajo çfarë kishte bërë “nuk është shembull i mirë, absolutisht”.
Përveç se jo shembull i mirë, ishte edhe e kundërligjshme, por ministri e pagoi me një pranim gabimi.
Gazeta Online Insajderi ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Deçanit, Halil Tolaj, lidhur me tubimin e Zemajt dhe të tjerëve, por i njëjti për shkak të një problemi familjar nuk ka mundur të flas.
Jo vetëm në Deçan, por tubime të tilla janë shënuar gati se në të gjitha komunat e Kosovës, shumica prej të cilave nuk kanë shqiptuar akoma asnjë gjobë.
Komuna e cila është treguar kujdestare më e vëmendshme ka qenë Prishtina.
Në kryeqytet janë shqiptuar 10 gjoba për pesë subjekte politike.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në një përgjigje për Insajderi-n ka thënë se Lidhjes Demokratike e Partisë Demokratike u janë shqiptuar tri gjoba.
Lëvizja Vetëvendosjes deri tani ka shpëtuar me dy, ndërsa Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me nga një.
Kësaj të fundit, Tahiri tha se pritet t’i shqiptohet edhe një gjobë pak më vonë.
“Disa prej tyre janë për tejkalim të numrit të lejuar në tubim, disa janë për mungesë të maskave dhe disa të tjera për mungesë të distancës së lejuar”, ka treguar Tahiri.
“Vlera e të gjitha gjobave është e njëjtë, nga dy mijë euro, sipas nenit 25, pikës 1 të Ligjit kundër COVID-19, të cilin e kanë votuar vetë këto subjekte”.
Ndërkohë, Komuna e Prizrenit ka gjobitur me nga dy mijë euro Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Fahredin Ajdini, shefi i inspektoratit sanitar në Prizren, ka thënë për Insajderi-n se PDK është gjobitur për thyerjen e masave kundër përhapjes së Coronavirusit, në tubimin e datës 2 shkurt, ndërsa AAK-ja është dënuar për grumbullimin e njerëzve në hapjen e fushatës zgjedhore.
Në Komunën e Istogut, ndonëse disa parti kanë mbajtur tubime, deri tani, dihet për një dënim të LDK-së.
Demë Çeta, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në këtë komunë, tha se nuk ka informacione se sa është vlera e gjobës së shqiptuar.
Ndryshe, në Komunën e Podujevës, nuk është gjobitur ende asnjë nga partitë politike.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit të kësaj komune, Ajet Potera, kjo është bërë për shkak të mungesës së inspektorëve sanitarë.
“Në kohën kur janë mbajtur tubimet kanë munguar inspektorët sanitarë, ndërsa me inspektorët tjerë kemi dalë në terren dhe kemi disa dëshmi të cilat do t’i shqyrtojmë”, ka thënë Potera për Insajderi-n.
Mosshqiptimin e gjobave për partitë e kanë arsyetuar me mungesë të inspektorëve edhe nga Komuna e Drenasit.
“Aktualisht kemi vetëm një inspektor të nivelit qendror në dispozicion”, ka thënë për Insajderi-n Milaim Hajdari, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Drenasit.
Gazeta Online Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me drejtoritë e Inspekcioneve në Komunën e Pejës dhe Skenderajt, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike do të kenë 10 ditë kohë për fushatë zgjedhore, nga data tre shkurt e deri më 12 shkurt./Insajderi.com