Qyteti i Prizrenit është një nga qendrat kryesore të Kosovës dhe si qytet me vlera historike dhe kulturore dhe me mundësi shkollimi edhe në nivelin universitar, ofron mjaft mundësi për jetën e përditshme të të rinjve, vlerësojnë disa të rinj të këtij qyteti.
Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se i vlerësojnë mundësitë që i jep ky qytet për të rinjtë, por megjithatë, sipas tyre, perspektiva për ta në këtë qytet është e luhatshme.
Kaltrina Krasniqi, nxënëse e Shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”, thotë se qyteti i Prizrenit ofron mjaft për të rinjtë.
Po ashtu, Shenoll Qylangji, student i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit, shpreh mendimin se jeta e të rinjve në Prizren është e ngjashme me të bashkëmoshatarëve në qendrat tjera.
Mendim të përafërt për atë që ofron Prizreni për të rinjtë, ka edhe Xhemajl Çoçaj, nxënës i shkollës së mesme.
Alba Fejza, thotë se studion Menaxhmentin Ndërkombëtar në Universitetin e Prizrenit. Ajo vlerëson se të rinjtë në këtë universitet kanë ligjërues mjaft të mirë.
Të rinjtë në Prizren shprehin mendimin se ky qytet, për shkak të trashëgimisë së tij historike dhe kulturore, popullsisë shumetnike, por edhe vetë pamjes së qytetit, vazhdon të jetë qyteti më i bukur në Kosovë.