Turqit i kërkojnë një ministri Kurtit, Damka kërkon shqyrtimin e çështjes së Ambasadës në Jerusalem

Turqit i kërkojnë një ministri Kurtit, Damka kërkon shqyrtimin e çështjes së Ambasadës në Jerusalem

Përfaqësuesi i komunitetit turk, deputeti i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit, Fikrim Damka, ka thënë se nuk kanë marrë ende vendim për ta votuar Qeverinë Kurti, por do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit në ditën kur do të votohet Presidenti, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai pas takimit që ka zhvilluar me kandidatin për kryeminsitër, Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, ku ka thënë se kanë kërkesa duke përmendur një post ministror sa i përket votimit të Qeverisë.

“Kemi pasur një takim sipas ftesës së Osmanit dhe Kurtit lidhur me krijimin e institucioneve. Deri më tani s’kemi vë kushte por kemi kërkesa. Do të vazhdojnë bisedat për krijimin e Qeverisë Kurti. Do të japim kontributin për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Damka.

“Nuk e kemi vendosur nëse do të votojmë Qeverinë Kurti, por për presidentin do të qëndrojmë në sallë. Kemi kërkesë për një post ministror”, tha ai.

Damka e ka përmendur si sfidë për Qeverinë e re, Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, ku ka premtuar bashkëpunim për zgjidhjen e kësaj çështje.

“Në ardhmen Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me sfidën e Ambasadës në Jerusalem por ne do të qëndrojmë pranë për zgjedhje të këtij problemi. Kjo ambasadë nuk është vetëm brengë e komunitetit turk por duhet të jetë për të gjithë shoqërinë kosovare”, ka thënë Damka. /Insajderi.com