U.D. Presidentja takon ambasadorët e Quintit

U.D. Presidentja takon ambasadorët e Quintit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorët e shteteve të Qunitit dhe me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, njofton Insajderi.

Në një komunikatë dërguar mediave, thuhet se “Osmani i informoi ambasadorët e Quintit me zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin e saj si ushtruese e detyrës së Presidentes në ruajtjen e stabilitetit institucional, unitetin politik, si dhe maturinë dhe kujdesin të cilin institucionet e vendit po e tregojnë në këtë fazë”.

“Do të punojë fuqishëm me të gjitha institucionet e vendit, partitë politike dhe ambasadat e vendeve mike, për ta forcuar më tej jetën politike dhe institucionale në vend”, u ka thënë Osmani diplomatëve ndërkombëtarë.

Komunikata njofton se edhe ambasadorët “e siguruan u.d. Presidenten Osmani për përkrahjen e mëtejme të vendeve të tyre për popullin dhe institucionet e Kosovës, si dhe i dëshiruan sukses në përgjegjësitë e reja, të cilat ia jep Kushtetuta e vendit”./Insajderi.com