Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e Millan Radojiçiq, i cili u arratis të enjten pasdite në pikë kalimin kufitar Bërnjak.
Policia është arsyetuar se Radojiçiq u ka ikur duke thënë se pika kufitare aty si pikë e përbashkët, mund të kalohet shpejtë.
“Duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë”.
Ndërsa, sa i përket sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, policia ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme.
Ndryshe, emri i Millan Radojiçiqit lakohet në qarqe të ndryshme si organizator i vrasjes së politikanit serb në Mitrovicën Veriore, Oliver Ivanoviq, vrasje e cila ka ndodhur në vitin 2018.
I njëjti ishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast, ndërsa pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.
Por, më vonë, Prokuroria Speciale sërish e kishte vendosur në listën e personave të kërkuar.
Kjo është hera e dytë që Radojiçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës.
Dy vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin./Insajderi.com