Një person i cili ishte zhdukur që nga e enjtja, është gjetur në mëngjesin e së premtes pa shenja jete në veturën e tij në Ferizaj, transmeton Insajderi.com.
Majori i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Mehmetali Hajdini, thotë se mbrëmë rreth orës 21:00 është paraqitur rasti se është zhdukur një person.
Ndërsa sot në mëngjes njësiti i Hetimeve Rajonale i ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe rreth orës 11:00 kanë pranuar një informacion se është gjetur një automjet i braktisur ku në të është parë një person pa shenja jete.
“Emergjenca nga QKMF-ja në Ferizaj, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë konstatuar vdekjen e personit në fjalë”, ka thënë ai.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe sektori i Hetimeve Rajonale me të gjitha njësitet relevante dhe i kanë verifikuar të gjitha rrethanat dhe e kanë konstatuar se bëhet fjalë për të njëjtin person i cili është raportuar mbrëmë si i zhdukur”, është shprehur Hajdini.
Ai tha se dyshimet e para janë se është vdekje natyrale, kurse vetura sipas tij, nuk ka qenë e aksidentuar por vetëm ka dalë jashtë rrugës dhe në bazë të të dhënave, vetura i përket tashmë të ndjerit. /Insajderi.com