U shpall fajtore për deklarim të rremë të pasurisë – Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e kryediplomates Haradinaj

U shpall fajtore për deklarim të rremë të pasurisë – Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e kryediplomates Haradinaj

Gjykata e Apelit ka vendosur t’a kthejë në rigjykim rastin e kryediplomatës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila para një viti ishte shpallur fajtore për raportim të rremë të pasurisë, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gjykata e Apelit përmes një komunikate, ku thuhet se rasti i Haradinajt për deklarim të rremë të pasurisë, të ardhurave dhe dhuratave, është kthyer në rigjykim.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në komunikatën për medie.

“Gjykata themelore, e kishte shpallur fajtor të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare “nga neni 437 par.2 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në aftin e verifikimit prej 1viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 Eurove”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu në këtë kumtesë thuhet se Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale”, thuhet në komunikatë. /Insajderi.com