“U vetëvra” — Deklarata e Sveçlës demotivoi familjen e togerit që u vra në oborr të Doganës

“U vetëvra” — Deklarata e Sveçlës demotivoi familjen e togerit që u vra në oborr të Doganës

Laura Berisha, motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet i vdekur në oborr të Doganës në prill të këtij viti, dy ditë më parë është ballafaquar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tjerë, derisa po ecnin në sheshin e Prishtinës në përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytetin, Arben Vitia.

Ajo ka kërkuar zbardhjen e rastit të vëllait të saj, të cilin e ka quajtur vrasje, duke u ankuar se kanë kaluar gjashtë muaj që nga ky rast, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, megjithëse i ka dërguar pyetje disa herë.

Me t’u larguar ajo, Sveçla është dëgjuar t’i ketë thënë Kurtit se viktima kishte bërë vetëvrasje.

E kjo deklaratë e ministrit ka demotivuar familjen Berisha. Në reagimin e tyre thuhet se përmes kësaj deklarate “na kanë bërë me dije se pritjet tona se kjo qeveri e re do ta luftojë krimin e organizuar janë vetëm fjalë boshe”.

“Përtej asaj që motra jonë Laura e tha para qeveritarëve ne nuk kemi asgjë tjetër për të thënë”, thuhet në reagimin e familjes Berisha.

“Tash e gati 7 muaj nuk kemi asnjë informate nga hetuesia e prokuroria, përveç faktit se në ditën e vrasjes se vëllait tonë, nuk kanë funksionuar kamerat, janë gjetur 2 plumba, njeri prej të cilëve nuk dihet se ku ka përfunduar, si dhe pastrimit të veturës me urdhër të prokurorisë 1 jave pas ngjarjes”.

Në këtë reagim po ashtu thuhet se “për të kursyer fëmijët e familjes, ne kemi vendosur qe rastin ta trajtojmë me diskreditet dhe me bindjen se institucionet tona do ta hetojnë këtë rast, rast ky që përveç se na ka lënduar shpartat tanë, ka prekur direkt edhe sigurinë e vendit”.

“Vëllai ynë nuk ishte një qytetar i thjeshtë qe u gjet i vrarë, ai ishte toger, Udhëheqës i njësitit antikontrabandë në Doganat e Kosovës dhe vrasja e tij ndodhi në parkingun e Doganës në lagjen Veternik”./Insajderi.com