Ahmet Ismaili, drejtor i Thesarit në Ministrinë e Financave në një letër publike ka thënë se vjedhja 2.1 milionë eurosh ka qenë veprim krejtësisht individual që ka tejkaluar autorizimet ligjore.
Ai në një letër publike ka sqaruar se personi i dyshuar “ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krimin”.
“Veprimi që ka ndodhur është krejtësisht individual, duke tejkaluar autorizimet ligjore, duke ndërmarrë veprime të palejuara, duke krijuar përdorues false në sistem dhe duke thyer resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë, nga e cila janë marre mjetet. Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu. Ky veprim është kryer pa bashkëpunim dhe pa asnjë aprovim nga eproret”, thuhet në letër.
Më 21 tetor u raportua se 2 milionë e 100 mijë euro janë avulluar nga buxheti i Kosovës.
Labinot Gruda, i dyshuar për rastin është në paraburgim një mujor, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda.
Ndërsa, dy persona janë në arrati. Policia e Kosovës po vazhdon hetimin. /Insajderi.com