Udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan dëshmon për rastin e Agon Musliut

Udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan dëshmon për rastin e Agon Musliut

Udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit, Fadil Kajtazi, është intervistuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për rastin e Agon Musliut.

Komisioni Parlamentar për menaxhimin e Pandemisë po vazhdon me intervistimin e personave që mund të kontribuojnë me informacion për ngjarjen tragjike të 26 vjeçarit të ndjerë nga Gjilani.

Agon Musliu kishte vdekur në Qendrën Studentore në maj të këitj viti, ai ishte hedhur nga objekti i konvikteve, ku ishte izoluar për shkak të rregullave qeveritare për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, njofton Insajderi.

Kajtazi tha se me 1 maj ka dërguar emailin e parë ku është bërë kërkesa që Naim Musliut ( babait të Agon Musliut) që djali tij të marrë leje qarkullimi.

“Situata është pak konfuze për t’u përgjigjur saktë, pasi situata në qendrën emergjente operative atë kohë ka qenë dinamike, qindra mijëra kërkesa në ditë nga qytetarët për t’u liruar. Emaili i parë që kam dërguar në qendrën operative në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka qenë më 1 maj me kërkesën e prindit që ta presë të birin në aeroport duke sqaruar se në bazë të dokumentacionit që ka paraqitur babai (një ultrazë të abdomenit) Agon Musliu ka qenë i sëmurë nga mëlqia. Dokumenti ka qenë i lëshuar në shkurt 2019,” ka thënë Kajtazi.

Ai po ashtu tha se informacionin se Musliu ishte depresiv gjatë karantinimit e kishte marrë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Informatën se Agon Musliu është depresiv e kam marrë nga kryetari Haziri, ku edhe kemi përcjellur një kërkesë më 3 maj në orën 17:00 në qendrën operative emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë që Agon Musliu urgjentisht të kontrollohet nga një neuropsikiatër sepse është depresiv,” ka shtuar Kajtazi. /Insajderi.com