UDHËHEQËSIT PA FËMIJË DHE UDHËHEQËSIT ME FËMIJË: JA CILËT PREFEROJ UNË

Autor: Ridvan Peshkopia
Me zgjedhjen në vitin 2017 të Emanuel Makronit si president i Francës, u plotësua sundimi mbi ekonomitë kryesore të BE-së dhe vetë BE-në i udhëheqësve pa fëmijë. Krahas tij, asokohe Europa udhëhiqej nga një dorë udhëheqësish pa fëmijë si Angela Merkel e Gjermanisë, Teresa Mej [Theresa May] e Britanisë së Madhe, Paolo Xhentiloni [Paolo Gentiloni] i Italisë dhe Mark Rutte i Hollandës. Ishte koha kur Çarls Mishel i Belgjikës, i cili është prind, sapo kishte zëvendësuar ish kryeministrin e pafëmijtë Elio di Rupo. Si për të mos mbetur anash dhe me krenarinë që e karakterizon ndër shekuj, menjëherë mbas zgjedhjes së Makronit në Francë, Irlanda ia dorëzoi frerët e veta të pushtetit Leo Varadkarit, një homoseksual pa fëmijë. Udhëheqës të tjerë pa fëmijë në vendet e BE-së janë Stefan Lofven i Suedisë, kryeministri i Luksemburgut Havier Betel [Xavier Bettel] dhe kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon. Si qershia mbi tortë, po ashtu, Presidenti i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker [Jean-Claude Juncker] është pa fëmijë.
Nga njera anë, disa komentatorë, si për shembull Xhejms MekPerson [James McPherson], theksojnë se të mos pasurit e fëmijëve i ka privuar këta udhëheqës nga përvoja e drejtpërdrejtë e “një përplasjeje të përditshme me vullnetin e lirë – fëmijët mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga prindërit e tyre.” Sipas MekPersonit, udhëheqës të tillë mundet të mendojnë se individët janë pa ndërgjegje dhe njësi të pandryshueshme të kapitalit njerëzor.” Një Europë me nivele të rritjes së popullsisë nën kuotën minimale të plotësimit, e cila është 2.1 fëmijë për familje, do të kishte nevojë për politika që do rrisnin fertilitetin dhe lindshmërinë. Mirëpo, siç shënon MekPersoni , “në Europën e sotme, politikat që do të ndikonin të pasurit e fëmijëve nga të tjerët zbatohen nga udhëheqës të cilët vetë nuk kanë fëmijë.” Kësisoj, me të drejtë mund të ngrihet pyetja: a kanë ndonjë shqetësim këta udhëheqës pa fëmijë për të ardhmen e shoqërive të tyre?
Por nga ana tjetër, pafëmijshmëria e këtyre udhëheqësve, ashtu siç është në përgjithësi edhe mes popullsive europiane, flet për një qytetërim që ka humbur besimin në vetvete dhe është duke vdekur.
Daglas Mëri [Douglas Murray], një komentator konservator britanik, i përmbledh këto prirje demografike, politike, ekonomike dhe kulturore të Europës në librin e tij Vdekja e Çuditshme e Europës [The Strange Death of Europe]. Sipas Mërit, në një komentar në gazetën britanike Sunday Times, Europa ”është një kontinent moralisht i dobësuar, që nuk po mundet të përballojë hyrjen e miliona refugjatëve nga kultura të ndryshme.” Sipas tij, “e gjithë bota po vjen në Europë bash në çastin kur Europa vetë ka humbur rrugën” Siç vazhdon Mëri, “teksa lëvizja e miliona njerëzve nga kultura të tjera në një kulturë të fuqishme dhe plot vetëbesim mund të kishte funksionuar, lëvizja e miliona njerëzve në një kulturë që ndihet fajtore, e zbehtë dhe duke vdekur nuk funksionon.”
Në vitin 2016, vendi me lindshmërinë më të lartë në Europën Perëndimore ishte Franca, e cila me 1.92 fëmijë për familje, prapë ishte poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1. Spanja dhe Italia kanë nivelet më të ulta të lindshmërisë në Europën Perëndimore, 1.34 fëmijë për familje. Nivelin më të lartë të lindshmërisë në botë e ka Nigeri (mos ngatërrohet me Nigerinë) me 7.34 fëmijë për familje.
Ndërkohë, në Europën e Re, Kryeministri Hungarez Viktor Orban (heroi im) i cili është babai i pesë fëmijëve, në 2019 futi edhe një masë të re në përpjekjet e tij për të mbajtur gjallë Hungarinë hungareze, si një luftë për të mbajtur gjallë Europën: nënat me katër fëmijë e më shumë nuk paguajnë taksë të ardhurash. Qeveria e tij jo vetëm që po bën përpjekje serioze për të ndaluar rënien e popullsisë, por është mjaft kritike ndaj dështimit perëndimor në këtë pikë. Siç vëren sarkastikisht Orbani, “për Perëndimin, përgjigja ndaj rënies së nivelit të lindjeve është imigracioni: për çdo fëmijë që na mungon, e marrim një nga jashtë dhe jemi në rregull me numrat.” Por sipas tij “hungarezët mendojnë ndryshe. Ne nuk kemi nevojë për numra. Ne kemi nevojë për fëmijë hungarezë.”
Masa të tjera të qeverisë hungareze përfshijnë premtimin për të krijuar gjatë tre viteve të ardhëshme të 21,000 të vendeve të reja në kopshte dhe çerdhe; 2.5 miliardë dollarë shtesë për sistemin shëndetsor; subvencione për blerje shtëpie apo pagesë qeraje; dhe mbështetje nga shteti deri në 9 mijë dollarë për të blerë minivane me shtatë ulëse. Me këto politika për rritjen e numrit të popullsisë, Hungaria tani shpenzon 5% të PPB-së së saj (ia mban xhepi se e kanë ekonominë top, ndryshe nga kalbësirat perëndimore që shkojnë nga kriza në krizë – dhe këtë ekonomi e kanë ndërtuar gjatë tre mandateve të Orbanit, me taksa dhe tvsh më të ultat në Europë).
Përpjekjet e qeverisë hungareze nuk janë të orientuara vetëm kah lindshmëria por edhe kah pjelloria. Mjekët hungarezë patën qenë ankuar për financim të pamjaftueshëm në këtë drejtim. Sipas tyre, 20-25% e atyre që duan të kenë fëmijë, kanë probleme me fertilitetin. Kësisoj, në fund të vitit 2019, qeveria hungareze mori përsipër mbulimin financiar të 6 klinikave private të fertilitetit dhe ofrimin pa pagesë të shërbimeve të fertilitetit për familjet që kanë nevojë. Masa të tjera përfshijnë hua deri në 36 mijë dollarë me interesa të reduktuara, hua e cila mund të falet krejtësisht me rritjen e numrit të fëmijëve nga ajo nënë.
Media perëndimore, analistët dhe politikanët e kanë kritikuar planin e Orbanit, duke rënë me të dy këmbët në kurth. Gazeta Ekonomist, skifterja e politikave neoliberale që kanë varfëruar popuj dhe qytetarë (por kanë pasuruar spekulantë të kallëpit të Sorosit me shokë) dhe të cilat po krijojnë polarizime të papara anembanë Europës Lindore ish komuniste, e kritikojnë planin e Orbanit si shumë shpenzues. Sipas tyre, masat e reja “nuk do kenë gjasa të sjellin shpërthim lindjesh dhe mundet të falimentojnë një ekonomi që po i afrohet mbinxehjes.” Gazetari Adam Tejlor [Adam Taylor] i gazetës neomarksiste amerikane The Washington Post, bën sikur merr vesh nga punët kur sugjeron se politikat e Orbanit “nuk do lëvizin as gjilpërën e lindshmërisë dhe se ato mund të sjellin një shpërblim të keq të investimit.”
Por faktet flasin kundër kritikëve të Orbanit dhe shembujt janë Polonia dhe Rusia, të cilat po ashtu, nën udhëheqjen e politikanëve konservatorë, kanë zbatuar politika të lindshmërisë. Tani së fundmi, lindshmëria në Rusi ka arritur në 1.75 fëmijë për familje, krahasuar me 1.17 që ishte në 1999, pjesërisht për shkak të një programi granti për prindërit. Po ashtu edhe Polonia ka arritur nivele më të larta të lindshmërisë që nga viti 2015, kur ajo futi në fuqi nismën masive Familja 500+, e cila mbulon pajisjet shkollore, veshjet dhe pushimet e fëmijëve. Kjo skemë pati qenë kritikuar nga neoliberalët perëndimorë si shumë shpenzuese por qysh asokohe, defiçiti publik i Polonisë jo vetëm që nuk është rritur, por madje është zvogluar. Sipas Majkëll Orejnshtejnit [Mitchell A Orenstein] nga Channel News Asia, “këto politika kanë stimuluar rritjen ekonomike duke ulur dramatikisht varfërinë mes fëmijëve dhe rritur ndjekjen e shkollës.”
Por kritikat ndaj politikave të Viktor Orbanit nuk vijnë vetëm nga neoliberalët. Ndrikulla kobëzeza të feminizmit neomarksist si Afua Hirsch e gazetës së ekstremit të majtë Guardian, Kim Lane Scheppele e Universitetit Princeton dhe Annika Strandhall, ministrja e Punëve Sociale të Suedisë, i kanë konsideruar këto politika si përkeqësuese të lirive dhe shëndetit të grave. Personalisht, pasi bashkë me gruan time kemi shpenzuar shumë para në klinika fertiliteti dhe pasi kam përjetuar dhimbjen e saj kur procedura nuk kishte sukses (më në fund fituam) nuk e kuptoj dot se si mundet që mbulimi financiar nga qeveria i kujdesit fertilor për femrën të jetë përkeqësues i të drejtave të grave. Nga përvoja personale, gruaja ime u ndie e çliruar dhe jo e robëruar kur solli në jetë fëmijën tim të tretë. Por këto janë ato shtriga të errësirës që propagandojnë rrejshëm se mëmësia është burg për gratë dhe aborti është çlirim dhe fuqizim për to (sa do të doja që edhe nënat e tyre të kishin menduar kështu). Ky është ai helm ideologjik që tashmë e ka vrarë një qytetërim të tërë, zbraz popullsinë europiane dhe detyron vendet të importojnë refugjatë sirianë për të mbushur vendet e punës.
Ulja e rritjes së popullsisë është bërë tashmë një problem mes shqiptarëve si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Është e tepërt të zgjatem këtu për katastrofën ekonomike, kulturore dhe demografike ku mund të na çojë kjo rrugë. Kësisoj, masat qeveritare për të rikthyer lindshmëritë janë të domosdoshme, duke ia filluar së pari me ndihmë shtetërore në rritjen e pjellorisë. Sipas shembullit të Hungarisë, qeveritë tona duhet të ndihmojnë së pari nënat që duan të bëhen me fëmijë dhe nuk mundin. Po ashtu, qeveritë tona duhet të ndihmojnë familjet në nevojë të rrisin fëmijët e tyre dhe, me kujdes të shtuar ndaj fëmijës, të ndihmojnë në përkujdesjen e fëmijëve në familjet ku prindërit kanë jetë aktive profesionale. Shkollat e sistemit K12 duhet të fillojnë të zhvendosen nga institucione thjesht akademike, në institucione të kujdesit për fëmijët, përfshi ushqimin, studimin pas klasave dhe veprimtaritë argëtuese dhe sportive.
Ky është investimi i investimeve. Politikanët shqiptarë po premtojnë subvencionime për prodhimin e domateve të serave, kur shqiptarët kanë nevojë për subvencionime për prodhimin e shqiptarëve të tjerë. Lënia e demografisë në mëshirën e logjikës së tregut nuk ka funksionuar në vende të tjera dhe nuk do funksionojë mes shqiptarëve. Ne nuk jemi në shërbim të tregut por e anasjellta. Nëse tregu saboton riprodhimin e shoqërisë tonë, duhet ta bëjmë ne atë treg t’u bindet dhe shërbejë nevojave tona. Tregu duhet të jetë shërbyesi dhe jo sunduesi ynë.
Por fakti që një temë e tillë kyçe nuk është pjesë e fushatave elektorale pallavraplota aktuale në Shqipëri dhe Kosovë tregon se klasa jonë politike as nuk është e vetëdijshme për problemin.
Ridvan Peshkopia është Lektor i Metodave Kërkimore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Kosovë. Ai ka doktoraturën në shkenca politike nga Universiteti i Kentakit në ShBA dhe ka qenë studiues post-doktoral në Universitetin Xhorxh Uashington. Fusha e tij e hulumtimit shtrihet gjerësisht në modelimet matematikore dhe statistikore të sjelljes politike.