Udhëtarët dhe trupat e viktimave nga aksidenti arrijnë sonte në Kosovë

Udhëtarët dhe trupat e viktimave nga aksidenti arrijnë sonte në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se udhëtarët të cilët kanë shpëtuar nga aksidenti tragjik me autobus i një kompanie nga Kosova të dielën në Kroaci, do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore këtë të martë pas orës 22:00, transmeton Insajderi.

Sveçla më tej bëri të ditur se në mbrëmje pritet që në Kosovë të kthehen edhe trupat e personave që nuk arritën t’i mbijetojnë aksidentit.

Ora e saktë nuk dihet ende, për shkak të autopsisë që po kryhet në shtetin e Kroacisë, derisa trupat e pajetë do të kthehen në Kosovë, me transport rrugor, raporton REL.

10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e vetaksidentit të trafikut që ndodhi në mengjesin e 25 korrikut në Slavonski Brod të Kroacisë.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident derisa ka thënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. /Insajderi.com