Tash e disa ditë qytetarët nuk po mund të qasen për shërbime në ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave të Republikës së Kosovës.
Kjo pasi, ueb-faqet e këtyre dy institucioneve publike kanë rënë nga funksioni.
Siç mëson Shqip.com nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të dhënat janë duke u transferuar nga një kompani private për në Agjencinë e Shoqërisë së Informacioneve.
Për Shqip.com, thonë se nuk janë në dijeni që ka rënie të sistemit.
“Ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave janë të vjetruara, do të thotë versioni i gjuhës programuese është i vjetruar, ka mundësi që ka ndonjë telashe. Nëse ka ndonjë telashe, ne do të ndërhyjmë”, deklaruan nga kjo agjenci.
Që qytetarët të marrin informata kurdo që duan në ueb-faqet e Ambasadave dhe Konsullatave, MPJD kishte derdhur në xhirollogarinë e agjencisë afër 10 mijë euro në korrik të 2021-tës.
Sipas dokumentit të publikuar, tenderi ishte dhënë më datë 29.07.2021 proces ky që ishte përcjellë me disa rishqyrtime.
Shqip.com gjatë një hulumtimi ka vërtetuar se vetëm gjatë vitit 2020 dhe 2021 kjo kompani ka fituar më shumë se 230 mijë euro tender për shërbime të ngjashme nga institucionet publike në vend dhe ka më shumë se 15 kontrata.
Udhëzimi administrativ, neni 7 thotë se “Institucionet publike obligohen që ueb-faqet t’i hostojnë në serverët e Qendrës Shtetërore të të Dhënave të Republikës së Kosovës”.
Ky udhëzim kishte hyrë në fuqi në maj të vitit 2015-të./Insajderi.com