“Uji nuk është partiak” – deputetja e PDK-së reagon për rastin Badovci

“Uji nuk është partiak” – deputetja e PDK-së reagon për rastin Badovci

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Eliza Hoxha ka reaguar pas situatës që është krijuar për rastin e liqenit të Badovcit.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Hoxha ka shkruar se uji nuk është partiak dhe as nuk përdoret për qëllime politike.

“Uji nuk është partiak e as nuk duhet të përdohet për qëllime politike. Por politikën mund ta përdorim dhe ta vëmë në shërbim për ta zgjidhur edhe problemin me Badofcin. Për shumë vjet, Prishtina, kryeqyteti ynë, është udhëhequr me politika të gabuara. Rrjedhimisht edhe sot gjendemi para këtyre situatave të cilat rrezikojnë ambientin dhe vet jetën e qytetarëve”, ka shkruar Hoxha.

Tutje Hoxha ka shkruar se e mbështet iniciativën e qytetarëve për mbrojtjen e Badovcit. Deputetja e PDK-së thotë se liqeni ka qenë brengë e saj që nga studimet e saj.

“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës që vij nga Prishtina, mbështesë fuqishëm iniciativën qytetare për mbrojtjen e Badofcit. Prishtina ka qenë përherë brenga ime edhe në studimet e mia, shkrimet dhe librat e mija që ia kam kushtuar asaj dhe sfidave që po kalon ndër vite. Njëkohësisht jam jashtëzakonisht e lumtur që Dega e PDK-së në Prishtinë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ftoj të gjithë asambleistët e të gjitha partive në Prishtinë që të mblidhen dhe ta zgjidhin këtë situatë. Nuk besoj që dikush është kundër zhvillimit. Por ato duhet të jenë në harmoni me ligjin, dispozitat në fuqi, dokumentet e planifikimit dhe të mos cenojnë interesin e përbashkët për një qytet më të mirë për të gjithë dhe ujë për të gjithë”, ka shkruar Hoxha.

Ndër tjera ajo është shprehur se “Prishtina ka nevojë për Badofcin natyral me infrastrukturë që e shëndërron atë në destinacion natyror si resurs kombëtar i mbrojtur me ligj”. /Insajderi.com