“Ujku Vigjilent” i FSK-së

“Ujku Vigjilent” i FSK-së

Batalioni i Dytë i Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) ka realizuar trajnimin e brendshëm ‘Gjenerimi i Forcës’ me kohëzgjatje prej tre muajsh prej 10 prill 2017 deri më 21 qershor 2017.

“Si përmbledhje e të gjitha fazave të  trajnimit tremujor Kompania 2/A ka përfunduar këtë trajnim me realizimin e ushtrimit fushor 48 orësh të koduar ‘UJKU VIGJILENT- 2’  në Deçan dhe fshatrat Lumbardhë, Lluke etj.”, njofton FSK.

Ushtrimi fushor është planifikuar nga Komanda e Batalionit të Dytë dhe është ekzekutuar nga Kompania 2/A në bazë të (PUT) Procedurës së Udhëheqjes së Trupave, me qëllim të vlerësimit të njohurive dhe shkathtësive të fituara gjatë periudhës tremujore të trajnimit.

“Në këtë ushtrim përveç pjesëtarëve të Kompanisë 2/A  mbështetje e ushtrimit fushor kanë qenë edhe njësitë tjera të FSK–së,  Njësia e Ndërlidhjes Reagimit në Kriza (NJNRK), Regjimenti i Mbrojtjes Civile (RMC)  dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS). Po  ashtu gjatë realizimi të ushtrimit fushor janë angazhuar dhe institucionet civile të  komunës se Deçanit: Drejtoria për emergjenca dhe shpëtim, Policia e Kosovës, Kryqi kuq i Kosovës, Agjencia për emergjenca civile, Shtëpia shëndetit dhe Zjarrfikësit”, thuhet më tej aty.

Incidenti i improvizuar ka ndodhur më 19 qershor dhe së pari kanë intervenuar institucionet civile të  komunës së Deçanit si zjarrfikësit, Qendra  Emergjente Shëndetësorë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe Policinë e Kosovës që kanë bërë perimetrin e  sigurisë.

“Gjatë realizimit të këtij ushtrimi, i cili u realizua në  bazë të planit vjetor të trajnimit dhe aktiviteteve të Batalionit të Dytë, ku pjesëtarët e FSK-së dëshmuan edhe njëherë se janë të përgatitur profesionalisht në Planifikim dhe  operacionet ushtarake siç janë: Ushtrimet fushore, Stërvitjet e betejave, Lëvizjet taktike individuale, Procedurat e udhëheqjes se trupave, Okupimi i bazës patrulluese, Hyrje në patrullim, Operacione urbane ,Pika të kontrollit, patrullimi me Blinda dhe fusha tjera”, përfundon njoftimi./Insajderi.com