Ukimeraj: Pagesa për shkollimin tim ishte e bazuar në rregullore

Ukimeraj: Pagesa për shkollimin tim ishte e bazuar në rregullore

Koordinatorja e Qendrës Trajnuese, të Odës së Avokatëve të Kosovës, Albulena Ukimeraj, ka reaguar ndaj artikullit të Gazetës Insajderi të publikuar ditën e shtunë lidhur me pagesën nga kjo odë për shkollimin e saj, duke thënë se kjo pagesë ka qenë e bazuar në rregulloren e OAK.

Insajderi raportoi se si Oda e Avokatëve të Kosovës ka ndarë 2500 euro për mbulimin e shpenzimeve të studimeve të Doktoraturës së Ukimerajt, e cila i ka vijuar në Fakultetin e Drejtësisë në Departamentin Penal të Universitetit të Tiranës.

Albulena Ukimeraj thotë se kërkesa e saj për kompensim të një pjese të financimit të studimeve të doktoraturës është bazuar në normativën e “Odës së Avokatëve të Kosovës”.

“Arsyeja është e thjeshtë, kam pasur të drejtë, kam pasur nevojë për përkrahje financiare dhe kam parashtruar kërkesë për mbulim të një pjese të mjeteve në rrugë ligjore, gjë e cila është aprovuar në përputhje me normativën e “OAK-së””, tha ajo.

“Ndërsa, kërkesa ime është bazuar në “Rregulloren për Marrëdhënien e Punës, Sistemimin e Vendeve të Punës dhe Detyrat e Punës, Pagat dhe Benificionet e Punës, Përgjegjësinë Disiplinore të Stafit të OAK-së”. Në Kapitullin 5 “Ngritja profesionale”, në nenin 56 dhe paragrafin 2 të nenit 57, ku përcaktohet decidivisht e drejta e punonjësve të “OAK-së” që të kërkojnë përkrahje financiare për aftësim profesional përmes studimeve, të cilat do të ndikojnë në ngritjen e tyre profesionale në mënyrë që të arrihen rezultate më të mira në vendin e punës”, thuhet në reagimin e saj.

Mirë bazuar në Neni 57 të Rregullores “OAK-ja i paguan shpenzimet e shkollimit për të punësuarit që vijojnë studime për jo më gjatë se tre (3) muaj, në raste kur kjo përsosje iniciohet nga vetë OAK”.

“Në rastet kur shkollimi nuk është iniciativë e OAK-së, por dëshirë e të punësuarit: i punësuari duhet ta dëshmojë rëndësinë dhe përdorshmërinë e studimeve për vendin e tij të punës dhe për përmirësimin e cilësisë së punës dhe Kryetari duhet ta japë pëlqimin për këtë kërkesë. Në rast se bëhet fjalë për Kryetarin, pëlqimin e jep Bordi Drejtues”, thuhet në rregullore. /Insajderi.com