Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka ftuar në interpelancë në Kuvend ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, lidhur me uljen e shtesave për pensionistët, njofton Insajderi.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Murati duhet të japë llogari për këtë çështje, të cilën e ka quajtur padrejtësi ndaj kategorisë shoqërore më të rrezikuar nga COVID-19.
Sipas Tahirit, vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ulur për 20 euro shtesat e pensionistëve, nga 120 sa kanë marrë për tre muaj në 100, e dëmton gjendjen e tyre.
“Javën e kaluar ishim dëshmitarë të një padrejtësie që iu bë pensionistëve nga Qeveria e Kosovës. Nuk mjaftoi paaftësia për t’i siguruar vaksinat për ta, ku kjo kategori shoqërore janë kategoria më e rrezikuar nga Covid-19. Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre, tani edhe në aspektin financiar përveç atij shëndetësor, kjo qeveri paturpësisht vendosi që t’i ulë shtesat e pensioneve për ta për 1/3 nga shtesa e merituar nga qeveria e kaluar. Ky vendim e dëmton tej mase gjendjen e pensionistëve, që njihet si kategoria me gjendjen më të rëndë sociale.
Të shtyrë nga gjendja e tyre e rëndë, por dhe nga bisedat me ta ku ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer me këtë qeveri, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta ftojë në interpelancë në Kuvendin e Kosovës Ministrin e Financave Hekuran Murati për të dhënë llogari për këtë vendim zhgënjyes”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tutje është shprehur se është jonjerëzore po ashtu mashtrim “që të marrësh vota me premtime për rritje të pensioneve, e t’i ulësh ato që në ditët e para të qeverisjes”./Insajderi.com