Programi i UNICEF-it në Kosovë ka konfirmuar se deri në maj të këtij viti Kosova do të furnizohet me 76 mijë e 800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 nga COVAX, përcjell Insajderi.
“76,800 doza shtesë të vaksinës COVID19 do të arrijnë në Kosovë deri në maj 2021 përmes COVAX. Ne nuk jemi të sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt! Bashkë ia dalim”, thuhet në njoftimin për medie.
Kujtojmë se, Kosova tashmë është furnizuar me 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, derisa tashmë ka filluar edhe vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Pos këtyre vaksinave, në Kosovë së shpejti pritet të arrijë edhe një sasi e vaksinës së “Pfizerit” si ndihmë nga Komisioni Evropian për Ballkanin Perëndimor./Insajderi.com