Studime në kohë pandemie

Universitetet nuk ndikohen nga pandemia – fakultetet edhe këtë vit plot me brucoshë

Pandemia ka ndërhyrë në përditshmërinë e secilit dhe ka vënë shumë plane “në pritje”. Nëse jo krejtësisht, shumë biznese e veprimtari i ka gjymtuar, pasi për shkak të masave është dashur të punohet me orare të shkurtuara. Por, ndryshe nga gjithçka tjetër – Coronavirusi s’ka afektuar aspak dëshirën e kosovarëve për të studiuar. Kështu tregojnë të dhënat e regjistrimit të sivjetmë të brucoshëve në universitetet publike të Kosovës, krahasuar me shifrat e vitit të kaluar. Mund të kenë ndryshuar format e të ligjëruarit, por jo edhe numri i atyre që do i dëgjojnë ligjëratat.

Universitetet nuk ndikohen nga pandemia – fakultetet edhe këtë vit plot me brucoshë

Mijëra studentë u janë rikthyer sërish studimeve në Universitetet e Kosovës fizikisht apo virtualisht, ndërsa shumë të tjerë janë regjistruar ndonëse në kushte të rënda epidemiologjike, mirëpo sa ka ndikuar pandemia në regjistrimin e tyre?

Numri i aplikimeve në universitete gjatë këtij viti pavarësisht situatës, nuk ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitin paraprak.

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vetëm një mijë e 15 persona më pak kanë aplikuar për studimet themelore sesa vitin e kaluar, bazuar në të dhënat që i janë dërguar nga ky institucion Gazetës Online Insajderi.

Madje, nga UP bëjnë të ditur se gjatë këtij viti kanë regjistruar vetëm studentë të rregullt, për dallim nga vitet paraprake që janë pranuar edhe studentë me korrespodencë.

“Procesi i regjistrimit të studentëve të rinj ka vijuar sipas planifikimeve, ashtu siç ka rrjedhë i gjithë afati i I-rë i Konkursit për pranimin e studentëve të rinj në studimet themelore në UP, për këtë vit akademik. Numri i aplikimeve në UP, në vitin akademik 2019/20 ka qenë 9379 aplikime, ndërkaq në këtë vit akademik, pra 2020/21, është 8364”, thuhet në përgjigjen e tyre për redaksinë.

Në UP duket se i kanë zbatuar me sukses rregullat e distancimit social, meqë bëhet e ditur se që nga 7 tetori, apo fillimi i vitit akademik, Senati i Universitetit të Prishtinës, ka marrë vendim që procesi mësimor të mbahet në formë të kombinuar, gjë që ka rezultuar me zero ankesa apo pakënaqësi të përcjella nga njësitë akademike rreth formës së mbajtjes së procesit mësimor në UP.

“Në anën tjetër, sa i përket formës së mbajtjes së ligjëratave, Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 7 tetor, ka marrë vendim që, për shkak të pandemisë COVID-19,  procesi mësimor (ligjëratat, mësimi klinik, ushtrimet laboratorike dhe numerike apo mësimi nga fusha e arteve) të mbahet në formë të kombinuar (fizike ose online). Sipas këtij vendimi, secila njësi akademike vendos vetë për formën e organizimit të procesit mësimor, varësisht nga vlerësimi i gjendjes momentale lidhur me COVID-19 ,si dhe nga rekomandimet e IKSHPK-së. Deri me tani, njësitë akademike nuk kanë përcjell ndonjë ankesë apo pakënaqësi rreth formës së mbajtjes së procesit mësimor në UP”, thonë nga Rektorati i UP-së.

Se forma online e mbajtjes së ligjëratave nuk po ndikon negativisht te studentët, e sidomos te ata të rinj, nuk e kanë mohuar as nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, nga ku thuhet se janë të përgatitur që në bazë të vendimeve të institucioneve qendrore mësimi dhe të gjitha aktivitetet tjera të mbahet online, kurdo që vendosen kufizimet e reja.

Në këtë universitet tutje thuhet se ka përfunduar me sukses regjistrimi i studentëve të rinj për këtë vit akademik, në gjashtë fakultete dhe në 20 programe studimore.

“Interesimi ka qenë i kënaqshëm në të gjitha drejtimet. Numri më i madh i aplikuesve ka qenë në Fakultetin e Edukimit, programi Fillor dhe Parafillor dhe në Fakultetin e Filologjisë, në programin Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Tani jemi në proces të konkursit për afatin plotësues për vendet e lira që kanë mbetur”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Insajderin.

“Në kushtet e Pandemisë Covid-19, duke respektuar rekomandimet e institucioneve qendrore, ne kemi përshtatur kryerjen e punëve dhe mbajtjen e mësimit përmes platformave online. Si stafi edhe studentët janë përshitur mirë kushteve të reja. Në vitin e parë të studimeve në vitin akademik 2020/2021, procesi mësimor do të mbahet në objektet e Universitetit, duke respektuar masat kundër Covid-19. Ligjëratat për vitet e dyta, të treta dhe katërta po mbahen në platformat online të mësimit, si dhe në objektet e Universitetit sipas lëndëve specifike që i kanë (ushtrimet)”, kanë shtuar tutje nga aty.

Se për ndryshimet sa i përket ligjërimit në studimet e larta nuk ka ankesa, thonë edhe nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.

Pandemia nuk ka ndikuar në procesin e regjistrimit të studentëve të rinj as në këtë universitet, meqë bëjnë të ditur se nuk ka ndonjë dallim në interesimin e aplikuesve këtë vit – krahasuar me vitet e kaluara.

“Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit, nuk ka ndonjë dallim në interesimin e aplikantëve për të studiuar në UKZ, që do të thotë se përafërsisht interesimi është i njëjtë, porse çdo vit vërehet në përgjithësi rënje e numrit”, thonë nga UKZ, duke shtuar se drejtimet më të kërkuara janë Fillor dhe Parashkollor të Fakultetit të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Fakulteti i Shkencave Aplikative-drejtimi Matematikë Arsimore.

Fakti se pandemia ka detyruar universitetin të përdorë teknologjitë digjitale, duke iu dhënë mundësinë studentëve të studiojnë kudo, nuk ka penguar as Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, të fusë në funksion programet unike në të dyja nivelet në të gjitha njësitë akademike, meqë për vitin akademik 2019/2020, nuk ka pasur konkurs për regjistrim të studentëve.

“Sa i përket statistikave për numër të aplikantëve, ashtu siç edhe e dini Universiteti ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë për vitin akademik 2019/2020 nuk ka hapur konkurs për regjistrim të studentëve, ndërsa për vitin akademik 2020/2021 mund të themi se ka pasur një interesim të shtuar të aplikantëve për regjistrim në krahasim me vitet paraprake, për shkak të programeve unike që kemi ofruar si në nivelin baçelor po ashtu edhe master në të gjitha njësitë akademike”, thonë nga UHZ për Insajderin.

Ndërkaq, mësimi online ka rezultuar të jetë i suksesshëm edhe në këtë institucion arsimor, meqë thuhet se është treguar interesim më i madh i studentëve për të marrë pjesë në këtë formë të zhvillimit të procesin mësimor. /Insajderi.com