“Universiteti i Prishtinës është i politizuar”

Universiteti i Prishtinës është i ndikuar nga politika. Aty ka njerëz të politizuar dhe që vijnë nga partitë politike. Ky është vlerësimi i studentëve, duke thënë se nuk është i vetmi institucion që ka ndikim politik.

Mirjeta Bytyqi, studente në Universitetin e Prishtinës, beson se ka ndikim politik në këtë institucion të arsimit.

“Po ka ndikim, por nuk janë edhe shumë të varur që me hy shumë në thelb politikës”, ka thënë ajo.

Studenti Denis Bajraktari, ka qëndrim të njëjtë, duke thënë se deri të rektori janë të politizuar.

“Po ka profesorë të politizuar, borde të politizuara, rektori, dekanët e ndryshëm janë të politizuar”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, studenti tjetër Ekrem Preteni, vlerëson se, edhe ata që nuk merren me politikë nuk është se mbesin mbrapa.

“Unë mendoj se edhe në Universitetin e Prishtinës vërehet ndikimi i politikës si në çdo aspekt tjetër brenda Kosovës. Mirëpo, nuk është ndikimi aq i madh për ata që cilët nuk janë të kyçur në politikë, të mbesin mbrapa”, ka deklaruar ai.

Ka prej atyre që nuk e kanë përjetuar një gjë të tillë, por kanë dëgjuar për këtë dukuri.

“Përderisa vetë nuk jam përball, nuk po di, por me çka kam pa e dëgjuar, mendoj se ka politizim”, ka thënë Inva Zajmi, studente në UP.

Kurse për Jetlir Kryeziun, po ashtu student, politizimi është pak i fshehur.

“Politizimi ndoshta është pak i fshehur sepse ka shumë ministra që kanë qenë në qeveri, por edhe tashmë japin mësim”, është shprehur ai.

Në përgjithësi, studentët thonë se rivalitetet politike duhet të mbesin jashtë Universitetit

Për më tepër, një numër i ligjëruesve të Universitetin e Prishtinës janë pjesë e partive politike. Disa kanë funksione partiake dhe në institucione politike./REL/