UP-ja deri në fund të javës pritet ta shpallë konkursin për afatin e dytë

UP-ja deri në fund të javës pritet ta shpallë konkursin për afatin e dytë

Brenda kësaj jave, Universiteti i Prishtinës pritet të marrë vendim për hapjen e konkursit plotësues për pranimin e studentëve të rinj, njofton Insajderi.

Kjo cwshtje do të jetë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e radhës së Senatit.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Mimoza Ibrani, ka bërë të ditur se në afatin plotësues në nivelin bachelor pritet të pranohen rreth 2.500 studentë.

“Në afatin e parë të studimeve themelore për bachelor janë plotësuar 2/3 e vendeve, pra ngelen vakante një e treta e vendeve për studimet themelore bachelor, përfshirë këtu edhe kuotat për komunitetet joshumicë”.

Përveç afatit të dytë për bachelor, Senati i UP-së pritet të marrë vendim edhe në lidhje me konkursin për studentët e nivelit master dhe të nivelit të doktoratës.

Universiteti më i madh publik javën e kaluar ka bërë të ditur se Senati ka marrë vendim që për shkak të pandemisë procesi mësimor të mbahet në formë të kombinuar (fizike ose online).

Sipas këtij vendimi, secila njësi akademike do të vendosë vetë për formën e organizimit të procesit mësimor./Insajderi.com