Rektorati distancohet nga gjuha e Kastratit, thotë se rasti do të trajtohet sipas ligjeve

Rektorati distancohet nga gjuha e Kastratit, thotë se rasti do të trajtohet sipas ligjeve

Rektorati i Universitetit të Prishtinës është distancuar nga gjuha e profesorit të këtij universiteti, Ardian Kastrati, përcjell Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga UP-ja kanë deklaruar se ditëve në fikim do të trajtojë rastin e Kastratit, “në përputhje edhe me ligjet në fuqi”.

“Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuara nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre të ruajnë imazhin e UP-së”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të hënën, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, është mbajtur protestë për shkarkimin Ardian Kastrati.

Protesta është mbajtur për shkak të një postimi që Kastrati kishte bërë pas zgjedhjes së presidentes së shtetit, Vjosa Osmanit.

Ai kishte bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit, Faik Konica, i cili është marrë si ofendim ndaj Osmanit.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.

Më vonë Kastrati e ka fshirë postimin e më pas ka mohuar se i është kushtuar Osmanit apo kujtdo tjetër./Insajderi.com