Universitet i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se çështjen e profesorit Ardian Kastrati për gjuhë denigruese, e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës, njofton Insajderi.
Këtë deklaratë UP-ja e dha pas njoftimit lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës së përdorur nga profesori i këtij universiteti.
“Pas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me distancimin dhe dënimin e gjuhës denigruese, të përdorur në postimin e z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik, UP-ja njofton opinionin se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Tutje UP ka njoftuar se këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda universitetit.
“Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut”, thuhet më tej në kumtesën e UP-së. /Insajderi.com