UP nuk i përgjigjet thirrjes së SBASHK-ut për grevë, vazhdon procesin mësimor

UP nuk i përgjigjet thirrjes së SBASHK-ut për grevë, vazhdon procesin mësimor

Thirrjes së SBASHK-ut për grevë dyorëshe nuk iu përgjigjën dy Fakultete nga Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë dhe ai i Shkencave Matematikore dhe Natyrore, kanë vazhduar sot procesin e rregullt mësimor.

Këtë e ka konfirmuar për Insajderin, Flutura Demaku, zyrtare e lartë në Shërbimin e Studentëve në këtë fakultet.

“Grevë nuk është mbajtur dhe ka vazhduar procesi i rregullt mësimor”, ka thënë Demaku për Inajderin

Tutje, ajo ka shtuar se nga ora 11:00 do të takohen me SBASHK-un për të marr një vendim.

Sekretari i  FSHMN-së, Jeton Hyseni në një prononcim për Insajderin tha se në fakultetin e FSHMN-së, ka vazhduar mësimi pasi nuk kanë pasur një njoftim prej sindikatës se kemi grevë.

“Nuk kemi kurrfarë njoftimi prej sindikatës edhe nuk është ka mbahet te na greva. Ne nuk kemi informate prej sindikatës si sekretar i fakultetit  që ka greva. As nuk ka ndonjë fletë që shkruan grevë“ tha Hyseni për Insajderin.

Kjo grevë po mbahet për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për suspendimin e Ligjit për Paga.

Grevë dyorëshe në arsim është paralajmëruar të mbahet në çerdhe, në universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës.

“Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30  deri në orën 8:30. Greva në Universitete   greva fillon në orën 8 deri në orën 10. Greva në shkollat e Kosovës  mbahet  në dy orët e para në të dy ndërrimet. Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”, thuhet në njoftim./Insajderi.com