Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore “për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje”, njofton Insajderi.
“UP-ja njofton opinionin e gjerë që procesi dhe lokacioni i ndërtimit të këtij objekti janë aktualisht në procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prandaj zhvillimin e djeshëm e sheh si tentim të sjelljes së UP-së para aktit të kryer, si dhe tentim për ndikim në procesin gjyqësor.
Universiteti i Prishtinës do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë”, thuhet në reagim.
Tutje, UP-ja ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, t’i kontribuojnë qartësimit të kësaj situate, në përputhje me normat ligjore.
“UP-ja rithekson edhe një herë qëndrimin që kampusi universitar është i dedikuar vetëm për studentët dhe për aktivitete akademike, si dhe dënon çdo sjellje e cila paraqet provokim për studentët, stafin dhe qytetarët e vendit”./Insajderi.com