Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, ka dorëzuar mandatin e deputetit të Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.com.
Ismaili në fjalimin e tij tha se tani vullneti dhe dëshira e tij janë që t’i përkushtohet tërësisht Prishtinës, si kandidat për kryetar.
“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë- Prishtinës – dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim”, ka thënë ai në një konferencë për media.
“Sot dhashë dorëheqjen time nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që më votuan dhe më dhanë nderin dhe privilegjin për t’i përfaqësuar në Kuvend. Ky funksion, megjithatë, besoj se është i papajtueshëm me qëllimin tim për t’u bërë Kryetari i ardhshëm i Prishtinës”, ka thënë ai.
Si Kryetar i Prishtinës, detyra ime do të jetë t’u shërbej të gjithë qytetarëve;Të bashkoj të gjithë qytetarët në rregullimin e problemeve të jetës sonë të përditshme. Të punojmë në mënyrë që ta bëjmë Prishtinën një vend më të mirë për të gjithë. Dhe kur them për të gjithë, e kam fjalën për të gjithë”.
“Vendimin e kam marrë që t’i përkushtohem plotësisht qytetit tonë Prishtinës dhe do të jap gjithçka që kam për këtë qëllim. Edhe kjo që po e bëj sot, është se unë po tërhiqem një hap prapa nga politika e përditshme sepse kam besim se me mbështetjen e bashkëqytetarëve të mi të Prishtinës, më 17 tetor, ne do të nisim shndërrimin e Prishtinës në një qytet të pastër, të gjelbër e të sigurt”.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Uran Ismaili ishte më i votuari nga radhët e PDK-së dhe ndër më të votuarit në Kosovë, me rreth 27 mijë vota. /Insajderi.com