Deputeti i Partisw Demokratike tw Kosovws, Uran Ismaili, ka drejtuar kritika në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë pas paralajmërimeve për zvogëlim të buxhetit për barna esenciale, njofton Insajderi.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se tashmë qytetarët në gjendje të rënduar ekonomike nga pandemia do të përballen më një problem shtesë.
“Paralajmërimi i sotëm i Ministrisë së Shëndetësisë se Kosova do të përballet me mungesë të barnave në institucionet publike shëndetësore është lajm shumë i keq për shëndetin dhe ekonominë familjare të qytetarëve. Në mungesë të barnave, qytetarët do të duhet të blejnë barnat nga buxheti i tyre familjar, që edhe ashtu është i tejet i rënduar nga pandemia”, ka shkruar ai në Facebook.
Ismaili ka bërë edhe një krahasim mes periudhës kur ai ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverisjes së sotme.
“Duke parë shpenzimet e larta të qytetarëve, gjatë udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë, kemi rritur vazhdimisht buxhetin për blerjen e barnave. Në vitin 2017 e gjeta këtë buxhet me 25 milionë Euro. Pas shumë konsultimeve, arritëm që në vitin 2019 të rrisim buxhetin për barna në mbi 40 milionë Euro. Ndërsa sot, në kushte pandemie, në kohën kur ky buxhet do të duhej të vazhdonte të rritej, ai ka rënë në rreth 21 milionë Euro”.
Deputeti opozitar thotë se ulja e buxhetit për barna minon përpjekjet për furnizim stabil me barna të institucioneve shëndetësore.
“Ulja drastike e buxhetit për barna për vitin 2021 minon përpjekjet që i kishim bërë për furnizim stabil të institucioneve publike shëndetësore me barna. Më vjen shumë keq që projektimet buxhetore që kishin filluar në 2018 dhe që dhanë rezultat u ndërprenë në krizën më të madhe shëndetësore. Praktikat e mira menaxheriale në shëndetësi duhet të vazhdohen përtej mandateve qeveritare. Sot pres nga qeveria që qytetarëve tanë t’u ofrojë zgjidhje, e jo arsyetime”, deklaroi ndër të tjera Uran Ismaili./Insajderi.com