Urdhërohet arrestimi i Radojiçiqit në Kosovë, ai dyshohet se fshihet në Serbi

Urdhërohet arrestimi i Radojiçiqit në Kosovë, ai dyshohet se fshihet në Serbi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radojiçiq, nënkryetarit të Listës Serbe, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e liderit serb të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

I dyshuar për veprën penale të “Pjesëmarrjes ose Organizimit të Grupit Kriminal”, Milan Radojiçiq ndodhet në arrati prej nëntorit të vitit të kaluar.

Ai dyshohet se është duke u fshehur në Serbi, ndërkaq Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar “letërrreshtimin vendor kundër të pandehurit Radojiçiq”.

“Urdhërohet lëshimi i letërrreshtimit vendor kundër të pandehurit: Milan (Rajko) Raojiçiq, i njohur me pseudonimin ‘Mica’, i lindur më datë 21.02.1978 në Gjakovë, me banim në rr. ‘Vlade Cetkovic’, Mitrovicë – veri”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Akuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Radojiçiq bën fjalë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili më 16 janar të këtij viti u vra para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Se çfarë fakte ekzistojnë lidhur me këtë ende nuk janë bërë të ditura.

Gjatë aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, më 23 nëntor, janë arrestuar tre persona të tjerë lidhur me këtë vrasje.

Por, aty nuk ishte arritur arrestimi i Milan Radojiçiq. Ai nuk është gjendur në shtëpi gjatë aksionit të Policisë së Kosovës. /Insajderi.com