Ushtarët kroatë i bashkohen KFOR-it në Kosovë

Ushtarët kroatë i bashkohen KFOR-it në Kosovë

KFOR ka njoftuar se ushtarët kroatë i janë bashkuar komandës rajonale të kësaj force në perëndim, duke u bërë shteti i nëntë që do të jetë pjesë e njësisë.

Në një njoftim të këtij misioni në Twitter, thuhet se ushtarët kroatë do të integrohen në batalionin kinetik, i cili do të patrullojë anën perëndimore të Kosovës.

“Ushtarët kroatë janë bashkuar me komandën rajonale të KFOR Perëndimit, duke u bërë shteti i nëntë që do të jetë pjesë e njësisë, së bashku me ushtarë nga Austria, Italia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Turqia dhe Kroacia” thuhet në njoftimin e KFOR-it në Twitter.

“Ushtarët do të integrohen në batalionin kinetik, duke kryer patrulla në anën perëndimore të Kosovës”, njoftohet tutje nga forcat ndërkombëtare në Kosovë. /Insajderi.com