Ish-pjesëtari i ushtrisë së Danimarkës, që së fundmi ka shërbyer në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, akuzohet se dërgoi kërcënime me bombë ndaj institucioneve daneze.

Të hënën, dikush dërgoi kërcënime me bombë ndaj aeroporteve, spitaleve, qendrave tregtare dhe institucioneve tjera në Danimarkë, raporton faqja e televizionit shtetëror danez Dr.dk.
Këto kërcënime bënë që dy aeroporte dhe dy qendra tregtare të mbylleshin për disa orë në shtetin danez.
Policia daneze arrestoi të hënën një 31-vjeçar lidhur me këto kërcënime. Siç shkruan BBC News, i dyshuari është një ish-ushtar i ushtrisë daneze, i cili së fundmi kishte shërbyer në Kosovë.
Më parë, ish-ushtari i dyshuar për këto kërcënime, kishte shërbyer edhe në Afganistan. Të martën një gjykatë në Danimarkë, vendosi që ta mbajë në paraburgim të dyshuarin deri më 9 nëntor. /Insajderi.com