Ushtria e Kosovës nis betejën e parë të madhe që prej votimit në parlament – “i shpallë luftë” ariut të Prizrenit

Ushtria e Kosovës nis betejën e parë të madhe që prej votimit në parlament – “i shpallë luftë” ariut të Prizrenit

Forca e Sigurisë së Kosovës ka ofruar ndihmë për menaxhimin e situatës së sigurisë për banorët e fshatit Pouske të komunës së Prizrenit, pas sulmeve të ariut të murrmë në këtë fshat.

FSK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe sot një ekip nga njësia ndërlidhëse e FSK për reagim në rastet e krizave së bashku me disa anëtarë të komisionit të formuar nga MMPH, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vizituar lokacionin dhe janë takuar me banorët që kanë pësuar dëme nga ariu.

“Gjatë analizës së situatës dhe shqyrtimit të nevojave është konkluduar që zgjidhja më e mirë për të tejkaluar situatën do të ishte ndërrimi i lokacionit për Ariun e Murrmë”, thuhet në njoftim.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit kishte emëruar një komision për vlerësimin e masave që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e banorëve dhe pasurisë së tyre nga rreziku nga ariu i murrmë.

Dëmet e shkaktuara në bagëti nga ariu kanë qenë temë diskutimi para disa dite në takimin e përbashkët ndërmjet Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri, Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shoqatës “Sharri”, shoqatës “Bistrica”, Drejtorisë së Parkut Nacional, Policisë së Kosovës dhe ekspertëve të faunës në komunën e Prizrenit.