“Uzurpator dhe gënjeshtar”- Kur portali i afërt me Rexhep Hotin sulmonte Enver Hoxhajn

“Uzurpator dhe gënjeshtar”- Kur portali i afërt me Rexhep Hotin sulmonte Enver Hoxhajn

Tetë muaj më parë Rexhep Hoti kishte hedhur akuza në distancë ndaj kolegut të tij nënkryetar dhe bashkëpartiakut në Partinë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, mediumi i afërt me nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hotin, akuzoi Enver Hoxhajn se kishte shkuar natën dhe e kishte uzurpuar zyrën ku duhej të vendosej Behgjet Pacolli, zv/kryeministri i parë i Kosovës.

Zyra ku ishte akomoduar Hoxhaj, shkruante portali “Infopress”, ishte e paraparë vetëm për zv/kryeministrin e parë, por jo edhe për të tjerët.

“…mbrëmë natën ka shkuar Enver Hoxhaj dhe e ka uzurpuar zyrën dhe i ka çuar dokumentet e veta si zëvendëskryeministër jo i pari, por i dyti a i treti dhe tashti natyrisht duke kërkuar zyrën e vet zëvendëskryeministri i parë që i takon ne Qeveri, ai e ka pa që tash e ka zyrën e uzurpuar”, shkruante “Infopress” më 22 tetor të 2017-s.

I njëjti portal, në një artikull tjetër kundër Enver Hoxhajt, të publikuar më 21 tetor të 2017-s, shkruante se Hoxhaj kishte kërkuar dy poste qeveritare, por partia kishte përdorur “taktikën e vjetër e cila ka funksionuar gjithmonë”.

Gjuha e ashpër e portalit të afërt me Rexhepin Hotin përfshinte edhe akuza të tjera për kolegun e tij partiak, Enver Hoxhajn.

“Z. Hoxhaj, ç’është e vërteta, gënjeshtrat i bën gjithmonë me marifet. Dëm i madh që ky personalitet me kapacitet të madh intelektual u bë shërbëtor pa kushte i uzurpatorëve të pagdhendur të PDK-së”, është akuza tjetër që i bëhet Hoxhajt nga portali i afërt me nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hotin.

Rexhep Hoti gjatë viteve 2007-2009 kishte udhëhequr Gazetën “Infopres”, e cila publikohej në print dhe i shërbente Hashim Thaçit. Më pas, e kishte mbyllur. Portali “Infopress”, zyrtarisht nuk menaxhohet nga Hoti.

Por, ai është i pranishëm aty me shkrime të ndryshme dhe portali ka ruajtur logon dhe dizajnin e njëjtë, të cilën medium e kishte kur botohej në print.

E vetëm tetë muaj pas këtyre akuzave, Enver Hoxhaj i ka kryer një favor Rexhep Hotit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës e ka propozuar javën e kaluar nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministrin e Kulturës, Rexhep Hotin, për pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport.

Kjo pozitë, të cilën Hoxhaj e ka propozuar për Hotin, është e barasvlershme me një pozitë ministri.

Insajderi ka siguruar propozimin e përpiluar nga Zyra e Zëvendëskryeministrit Hoxhaj në të cilin e rekomandon Rexhep Hotin për pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, raporton Insajderi.


Propozimi i Enver Hoxhajt për emërimin e Rexhep Hotit Koordinator

Në këtë propozim, zv/kryeministri Hoxhaj kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës të shqyrtohej propozimi i zv/ministrit Hoti për pozitën e koordinatorit. /Insajderi.com