Gresë Krasniqi, vajza e ish-kryeparlamentarit dhe njëherësh ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se kryediplomatja Donika Gërvalla ua ka ndaluar që përmes ministrisë që ajo e drejton t’ua dërgojnë gjërat esenciale të paraburgosurve në Hagë, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se Gërvalla duhet t’i lë anash inatet personale.
“Pakot me gjëra esenciale deri tash i kem dërgua në dhomat e paraburgimit në Hagë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Donika Shwarz, paska marr vendim që ato pako mos me u dërgua përmes Ministrisë së saj. Ajo duhet me i lënë anash ose inatet personale ose ministrinë që aq dobët e udhëheq ose të përgjigjet për veprimet e saj”, ka shkruar Krasniqi.
Lidhur me këtë, nuk ka reaguar ende Ministria e Punëve të Jashtme e as nga ministrja Gërvalla.
Jakup Krasniqi bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së po mbahen në Hagë, pasi akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte./Insajderi.com